Akademia e Shkencave: Duhen më shumë testime për COVID19. Vdekshmëria e lartë për shkak të mos zbulimit në kohë

Gati një muaj pas nisjes së epidemisë së koronavirusit, Akademia e Shkencave ka dalë me një qëndrim zyrtar dhe bën parashikime për mënyrën sesi do të përballohet emergjenca.

Ndryshe nga qëndrimet e qeverisë që fliste për pik të epidemisë në fund të muajit mars, ASH thotë se shkallën maksimale të përhapjes epidemia do ta ketë këto dy javë.

“Pritet mbërritja e pikut dhe kalimi në fazën e fillimit të uljes. Përhapja e pandemisë tek ne ka qenë me një ritëm të moderuar, që mund të konsiderohet nga me pozitivët e mundshëm. Nga rritja 18-19% në ditë, që ishte deri më 26 mars, ritmi ka zbritur në 7 % në ditë. Kjo ulje është prej marrjes në kohën e duhur të masave të kufizimit social dhe respektimit të tyre. Ritmi i shërimëve tek ne është gjithashtu nga më pozitivët, duke arritur deri në 29 % të të rinfektuarve gjithsej, e krahasueshme kjo me Gjermaninë e Danimarkën, gjegjësisht me 28 e 31 %. Ndërkohë ky tregues në Itali është tek 16, 6% dhe në shumicën e vendeve të tjera është nën 10%. Këta tregues, të përhapjes së virusit dhe të kurimit, flasin për mbërritje të pikut brenda dy javësh dhe kalimin në fazën e fillimit të uljes. Këto ritme bëjnë të mundur që gjendja të mbahet nën kontroll dhe që situata nga sistemi ynë shëndetësor të jetë e përballueshme”,- thuhet në deklaratën e Akademisë së Shkencave.

Një tjetër qëndrim i Akademisë së Shkenca që bie në kundërshtim me metodat që po përdor qeveria është çështja e testimeve. Kryeministri thotë se testimet po kryhen sipas rregullave, ndërkohë që ASH thotë se duhen shumë më tepër testime. “Pandemia po vihet në kontroll. Tek ne faza e kalimit në arritjen e pikut për të synuar më tej fillimin e uljes është ndër më të shpejtat. Por për të ruajtur këtë rezultat është i domosdoshëm respektimi i masave që janë ndërmarrë si dhe shtimi i testeve në gjurmimin e të infektuarve. Ecuria e deritanishme përputhet me parashikimet. Simulimet e bëra nga anëtarët tanë, këtu apo jashtë vendit, tregojnë se është mundësia të vazhdohet të ecet sipas variantit më të mirë, por edhe varianti maksimal është i përballueshëm”,- thuhet në deklaratë.

Humbjet e jetëve nga virusi, Akademia i vlerëson si vonesa në kohë për kapjen e rasteve. “Treguesit flasin gjithashtu për një kurim të kujdesshëm e të suksesshëm në tërësi. Por, numri relativisht i lartë i humbjes së jetëve, është një apel për kapjen dhe trajtimin më në kohë e më të kujdesshëm të rasteve të rënda“.

 

SHKARKO APP