Aktivisti Erion Kristo kundër masave të Ramës: Doja të protestoja, isha gati të përfundoja burgjeve
Erion Kristo, pedagog dhe aktivist i njohur, ka reaguar me anë të një shkrimi në mediat sociale, teksa shprehur i indinjuar për masat e marra këtë fundjavë nga kryeministri Rama.
“Sot doja të dilja një shëtitje nga liqeni. Ishte e pamundur. Nuk lejohej. Mbeta aty te shkallët me zemërim në gji. Zemërimin nuk e kisha as me ajatollahun tonë, as me popullin e tredhur. Zemërimin e kisha me veten. Isha i zemëruar se doja të protestoja, doja të kërkoja me forcë të hapej liqeni. Isha i gatshëm të përfundoja burgjeve. Po nuk isha i gatshëm ta bëja vetëm.
Do të doja që fëmijët tuaj dymetroshë t’i kisha prapa në mbështetje. Djem azganë që vetëm hanë. Që i hanë kokën njëri-tjetrit. Që lënë një njeri t’u hajë kokën të gjithëve. Mijëra myslimanë që durojnë poshtërimin. Mijëra njerëz të mbetur pa punë.
Mijëra biznese të falimentuara. Mijëra të rinj të pashpresë. Dhe pikërisht aty i them vetes: pse i mërzit njerëzit? Boll të mërzitur janë. Mbaji për vete mendimet e tua. Kujt i duhen? Pse fut helm në shpirtin tënd? Kthehu në shtëpi dhe shtrihu në divan. Dhe pikërisht këtë bëra. Nuk mund të shpëtosh dikë që nuk do të shpëtohet.
Të vetmen gjë që mund të bësh është të presësh derisa indiferenti të dëmtohet vetë nga shteti. Aty do kesh rastin të qeshësh. Ti nuk do ta bësh, se nuk je shpirtvogël, por je thjesht i detyruar. Siç të detyruan ty sot të ktheheshe në shtëpi me shpirtin vrer dhe bishtin ndër shalë. Ç’të hedhësh në supën e jetës, atë do hash. Ne po hamë lëtyrë”, shkruan Kristo.