Aktivisti: Më çuan në komisariat vetëm pse iu kërkova të mos bërtisnin, shoku im pësoi traumë në dorë
Prej mbrëmjes së djeshme një grup të rinjsh, aktivistë që kundërshtojnë importin e mbetjeve janë tubuar para parlamentit në shenjë protestë kundër miratimit të ligjit.
Mëngjesin e sotëm ka pasur edhe një përplasje mes policisë dhe protestuesve dhe janë shoqëruar në Komisariatin numër 1 dy prej tyre. Bëhet fjalë për Mirel Elezin nga Kukësi dhe Oltjon Zaka nga Lushnja. Në një rrëfim për gazetarin Mariglen Mërtiri në News24, i riu nga Kukësi ka treguar arsyet që sipas tij çuan në shoqërimin në polici ndërsa tha se një nga oficerët e policisë i ka shkaktuar traumë në dorë shokut të tij.
“Rreth orës 7 të mëngjesit u paraqitën forca të shumta policie për të zhvendosur paletat e shtruara në tokë që ne i kishim vënë gjatë natës për të mos u ulur në trotuar. Policia kërkoi t’i zhvendosnim, ne kërkuam që të paktën edhe 1 orë të qëndronin paletat aty sepse nuk bllokonin rrugën. Një nga oficerët e policisë ka tërhequr me forcë një nga bashkëprotestuesit. Gjatë kësaj ndërhyrjeje ai ka pësuar edhe një traumë në dorën e djathtë. Pas shoqërimit në komisariatin numër 1 punonjësit e policisë patën një sjellje shumë profesionale dhe të edukuar. Nuk më është dhënë arsyeja e shoqërimit. Por besoj se një nga arsyet e shoqërimit tim ishte pse i kërkova të mos bërtiste”, tha Mirel Elezi.
Ai u shpreh se pavarësisht kësaj, do të vijojnë protestat dhe qëllimi i tyre është të mos votohet ligji që lejon importin e mbetjeve.
“U mblodhëm për të kundërshtuar importin e plehrave apo mbetjeve. Që njerëzit edhe të vrisnin frikën e të dilnin në protestë. Ne kishim informacione se nuk do kalojë sot në parlament. Arsyeja dihet sepse ky ligj nuk mund të marrë votat e nevojshme për të kaluar. Protestat do vazhdojnë deri sa ky ligj të mos kalojë në parlament”, tha aktivisti per News 24.
Ja pamjet se si policia dhunoi mëngjesin e sotëm protestuesit kundër plehrave
Këto janë pamjet e dhunës së mëngjesi të ushtruar nga policia ndaj protestuesve që kundërshtojnë ligjin e plehrave.
Në orët e para të mëngjesit dhjetëra forca policie, Shqiponja dhe ata të Komisariatit numër 1 kanë shkuar pranë parlamentit dhe kanë tentuar që të shpërndajnë protestën, e të heqin çadrat.
Policia ka shfrytëzuar orët e mëngjesit kur njerëzit janë në gjumë dhe media është e vakët në atë orë, por menjëherë janë bërë denoncimet në rrjetet sociale.
Gjatë dhunës së ushtruar policia ka arrestuar edhe dy protestues, një nga Kukësi e një nga Lushnja.

