Al Bano Karrisi, 24 orë në Vlorë për festa

Koncerti në qytetin bregdetar. Këngëtari: E ndjej veten sikur të jem në Festivalin e Sanremos

Nga Zenepe Luka/ Al Bano Karrisi, ka përshkuar një itinerar të lodhshëm për të mbërritur në Shqipëri, i ftuar nga shoqata “Al Bano Karrisi” për të kaluar festat e Nëntorit bashkë me fansat e tij në Vlorë. Pas një koncerti gjigant në Spanjë, e më pas Zvicër, Al Bano mbërriti në Tiranë më 28 nëntor. “Kisha dhënë fjalën dhe nuk e vura edhe një minutë në pikëpyetje ardhjen time mes jush, në Shqipërinë time”,- thotë këngëtari sapo prek tokën shqiptare në aeroportin “Nënë Tereza”.

Takimi me Presidentin

Pas mbërritjes Al Bano u prit nga Presidenti i Bujar Nishani. Mes tyre u zhvillua një takim i ngrohtë, siç ndodh mes miqve. “Më tërhoqi qetësia e Presidentit dhe oratoria në të folur”,- thotë këngëtari duke shtuar se,- “mora një informacion të gjerë për gjendjen në Shqipëri, ndryshimet që janë bërë, çka më gëzon fort edhe mua”. Ai flet dhe për pritjen zyrtare nga Kreu i Shtetit në Pallatin e Brigadave. “Megjithë lodhjen, pasi kisha udhëtuar gjatë gjithë natës me avion, pranova ftesën e Presidentit për të shkuar në pritjen që u bë në Pallatin e Brigadave. Për herë të parë ndodhte kjo, por pas kësaj, besoj se do të jem i pranishëm, sepse jam shqiptar. Jam i lumtur që takova Kryetarin e Parlamentit z.Ilir Meta, Kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaçi dhe personalitete të tjera”- flet me pasion Al Bano, duke e cilësuar një ditë të shenjtë 28 Nëntorin, festën e Pavarësisë së Shqipërisë.

 Festa në Vlorë

Si rrallë herë, Al Bano ka qenë tejet i mbushur me emocione  në këtë datë të shenjtë për shqiptarët, Ditën e Çlirimit të Shqipërisë. Ka jo pak kujtime. Kujton luftën, baba Karmelo ushtar në Sarandë… “Sigurisht edhe ky fakt më emocionon, por ajo që më prek tepër është pyetja që  bën çdo qytetar i botës: Do të vijë një ditë që shtetet, qeveritë, të respektojnë dëshirën e popujve për të jetuar në paqe e vëllazërim?”,- thotë Al Bano.

Varrezat e dëshmorëve italianë ndodhen në maj të një kodre. Mendonim se këngëtari do ta kishte shumë të vështirë për të ngjitur më shumë se 250 shkallë. Por na befasoi të gjithëve.  Al Bano shkoi para nesh në vendin, ku prehen të rënët italianë. Kërkoi një informacion për dëshmorët, çfarë përfaqësonte lapidari. I shpjeguam se përveç dëshmorëve që kanë rënë në luftë për çlirimin e vendit, ka edhe dëshmorë të pas viteve ‘90, që kanë rënë në krye të detyrës, veçanërisht  drejtues të policisë gjatë viteve 1996- 1997 dhe më pas.  Na befasoi një fakt tjetër, që para se të vendoste buqetën me lule në krye të kurorave që ishin vënë një orë më parë nga drejtuesit e pushtetit vendor dhe institucionet, Al Bano puthi buqetën, ndërsa një lot, i shkau mbi lule.  U befasua jashtë mase kur i thamë se në një parcelë janë vendosur edhe dëshmorët italianë. “Në ç’rrethana kanë rënë dhe si janë shpallur dëshmorë?”,-pyet Ai. I shpjeguam se pas kapitullimit të Italisë, shumë italianë ju bashkuan brigadave partizane dhe u vranë në luftime. “Nuk do ta mësoja kurrë këtë, nëse nuk do të kisha ardhur në këtë kodër dhe të lexoja me sytë e mi emrat e bashkëkombësve, që prehen përkrah vëllezërve shqiptarë, në tokën shqiptare”,- tha Al Bano i emocionuar.

Një fëmijë me emrin Albano

albano-femijaMjekja gjinekologe Marjeta Boraj në Maternitetin e Vlorës, na thotë se, kishte qenë mjeke roje dhe një foshnjë ishte lindur një natë më parë. Kur nëna e fëmijës së porsalindur  mësoi se të nesërmen do të vinte në Vlorë këngëtari i madh italian dhe se do të regjistrohej si banor i Vlorës, ajo kishte shprehur dëshirën e saj për t’ia vënë emrin djalit, Albano. Këngëtari e priti me shumë gëzim këtë çast, duke thënë se është hera e parë në jetën e tij që shkon në një maternitet. Mamia Drita Mustafa na shoqëron në dhomën, ku ishte foshnja e porsalindur. Ajo rrëfen se e kishte pritur me duart e veta lindjen e foshnjës, dhe ka ndjerë gëzimin, siç ka ndodhur gjatë  28 vjetëve që ushtron këtë profesion. “Lindi normal, me peshën 3 kg dhe janë mirë si nëna edhe foshnja”,-na tregon ajo.

Pastaj na drejtohet gruaja e re Anisa Muhametaj nga Kota, së cilës këngëtari i kishte sjellë edhe një buqetë me lule. “Jam e prekur,- tha ajo,- që kam rastin të takoj këngëtarin e madh Albano Karrisi, për të cilin kam dëgjuar dhe më ka rrëfyer shumë edhe bashkëshorti që është refugjat në Itali. “Unë kam dy festa sot, që është edhe ditë e shënuar 29 Nëntori, që linda djalë dhe i vumë emrin Albano dhe që përjetoj një çast kaq të bukur: Takimin me këngëtarin e madh italian Al Bano Karrisi.

Këngëtari e mori në duar foshnjën, e përkëdhel dhe i drejtohet nënës: “Të rrojë, me jetë të gjatë dhe uroj të bëhet këngëtar”.  Takimi emocional përfundoi me fotografi pa fund të këngëtarit me foshnjën dhe nënën, me personelin e maternitetit. Teksa largohemi nga mjedisi i spitalit, i drejtohem këngëtarit duke i thënë: “Me këtë foshnjë që mori emrin Albano, arrin në 400 numri i djemve dhe burrave që kanë këtë emër”.

“Si në koncertin e Sanremos” 

albano2Është kthyer në një festë e vërtetë ardhja e këngëtarit në hollin e teatrit “Petro Marko”. Thirrjet “Viva Al Bano” dëgjoheshin ngado. Aktiviteti nisi me përurimin e ekspozitës, që tregon me foto rrugën 21 -vjeçare të shoqatës kulturore “Al Bano Karrisi”, aktivitetet e zhvilluara në Shqipëri dhe Itali. Më pas u përurua busti i këngëtarit, punuar nga skulptori vlonjat Skënder Tena, që u zbulua nga ministri Sokol Dervishaj, deputeti Fatmir Toçi dhe kryetari i Qarkut, Sadrit Danaj.  Përveç qindra vlonjateve ishin të pranishme edhe gra të shquara, pjesë e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”. Prof.Ago Nezha, kryetari i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” i dorëzoi këngëtarit medaljen “Miku i Labërisë”, duke e bërë pjesë të këngës dhe qëndresës së kësaj treve. Al Bano ishte i mbushur me emocione të mëdha. I përlotur disa herë gjatë ditës foli pak, por në skenë elektrizoi sallën me këngët “Liberta” dhe “O Sole mio”. “Një barrë të tillë emocionesh kam provuar kur dola për herë të parë në Sanremo”, nuk di çfarë të them më parë, ajo që e di qartë është se im atë, na sheh dhe përlotet ashtu si unë, për nderin që na bëtë. Për gjithçka- bëri një pauzë, uli kokën dhe u drejtua nga kryetarja duke folur shqip:Të faleminderit, motër, që me shoqatën që mban emrin tim, arrite deri këtu. Të bëhem shqiptar, të bëhem vlonjatë, të jemi bashkë në një lagje”.

Aksinja Xhoja, “Mjeshtër i Madh” interpretoi në piano, duke veçuar një këngë në nderim të Karmelo Karrisit, ndërsa këngëtari nuk u përmbajt dhe u vërsul në skenë duke interpretuar këngët “Liberta” dhe “O sole mio”, që mbajtën në këmbë pjesëmarrësit deri në përfundim të tyre.       Aktiviteti u mbyll me shfaqjen  e dokumentarit “Al Bano dhe Albania  Autor Marcello Skardiçhio”. Nata e 29 Nëntorit u cilësua si “ Natë e bardhë . Al Bano Karrisi me fansave të tij, buzë detit Adriatik”. Befasia ishte se gjatë darkës, këngëtari foli shqip, duke lexuar atë që kishte shkruar, ku shprehte mirënjohjen e thellë për nderimin që i bëhet, duke ua shpërblyer shqiptarëve me dashurinë dhe mallin që ka për ta. “Unë dua të them atë që  ndjej, që Shqipëria është Atdheu i dytë”.

Befasia e “Rai Uno”

Ishte një surprizë, ardhja e TV Rai Uno. Ishte dëshirë e Al Banos, që të vinte një ekip i Rai Uno. Gazetarët u befasuan nga aktivitetet që u bënë në nderim të këngëtarit në Vlorë, duke kërkuar shkaqet përse e do kaq shumë Shqipëria Al Banon. Ekipi i këtij televizioni do të transmetojë 1 orë e gjysmë emision special, ku përfshihet edhe intervista e këngëtarit Al Bano dhe e kryetares së shoqatës “Al Bano Karrisi”.

 

Vlerësimet e ministrit dhe kreut të qarkut

Sokol Dervishaj, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, i cili ishte mbështetësi i këtij aktiviteti. U shpreh se edhe si vlonjat ndjehet i lumtur që këngëtari i madh Al Bano Karrisi, një mit i këngës italiane, tashmë është me nënshtetësi shqiptare dhe bashkëqytetari ynë në Vlorë. “Ky është një mesazh i rëndësishëm, që forcon miqësinë midis dy popujve tanë. Kjo është krenari për ne shqiptarët”,- tha Dervishaj. Kryetari i Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj, çeli serinë e vlerësimeve. Pasi ka mbajtur një fjalë të shkurtër, duke vlerësuar figurën e Karmelo Karrisit dhe këngëtarin e famshëm Al Bano, i dorëzoi këngëtarit “Medaljen e Mirënjohjes”, për të atin Karmelo. Kryetari i bashkisë së qytetit, Dritan Leli në fjalën e tij, ka treguar emocionet që ka përjetuar  në koncertin e parë që kanë dhënë këngëtarët Al Bano dhe Romina Pouer në vitin 1989, kur ai ishte student në mjekësi. “Unë ndjehem shumë i lumtur,- iu drejtua ai këngëtarit,- që sot ju dorëzoj zyrtarisht lejen e qëndrimit tuaj në lagjen “Pavarësia”, Shëtitorja “Ismail Qemali”, pasi keni marrë nënshtetësinë shqiptare.

Kënga që ngriti në këmbë pjesëmarrësit dhe përloti këngëtarin

“Ti na solle këngën, Shqipëria të dha zemrën”, ishte kënga që interpretoi me ndjenjë grupi  polifonik “Krojet e Velcës”, që ngriti në këmbë të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa këngëtari u përlot, kur mësoi përmbajtjen e këngës. Mes grupit u përfshi edhe këngëtarja Irini Qirjako, “Mjeshtër i Madh”, që kumboi me këngën aq të dashur për të gjithë “Këngët e Atdheut tim”

SHKARKO APP