Alarmi – Dy javë të izoluar nga bora, banorëve në Kukës e Tropojë u nevojitet ushqim
Prej dy javësh disa fshatra të thella malore në Kukës dhe Tropojë vijojnë të jenë të bllokuar nga bora.
Prefektura e Qarkut të Kukësit bën të ditur se banorët e izoluar nga bora kanë nevojë për ushqime pasi rezervat e tyre familjare po shkojnë drejt përfundimit.
Në këtë situatë Prefektura bën apel për ndihma edhe në rrugë tokësore pasi situata e rrugëve është përmirësuar.
Abdulla Domi: Dy janë njësitë më problematike, njësia Arren që vazhdon të jetë e izoluar bashkë me fshatrat përbërëse dhe njësia administrative Lekbibaj ku janë disa fshatra të izoluar. Jo vetëm këtu por në disa njësi administrative kërkohet kjo ndihmë. Do ishte një suport i mirë për këta banorë që për shkak të zgjatjes së kësaj ftohtë janë në limitet e ushqimeve që disponojnë dhe kanë rezerva.
Në përgjigje të kërkesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, helikopterët e Forcës Ajrore deri më tani kanë kryer vetëm dy fluturime për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe batanije për banorët e fshatrave Arrën dhe Kalis në Kukës.
Aktualisht në Kukës e bllokuar është vetëm Njësia Adminstrative Arrën me gjithë fshatrat përbërës, ndërsa në Tropojë të bllokuar janë katër fshatra të Njësisë Administrative Lekbibaj.
/Oranews

