Ambasada Amerikane zbardh takimin e Yuri Kim me Ramën
Ambasada e SHBA në Tiranë ka dhënë detaje për takimin e zhvilluar sot mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores Yuri Kim në Kryeministri.
Ambasada njofton se diplomatja Yuri Kim e ka siguruar kreun e qeverisë për mbështetjen e SHBA për reformat në Shqipëri.
“Në vizitën e sotme prezantuese me Kryeministrin Rama, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim pati mundësinë të përvijojë prioritetet e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri: të ndihmojë Shqipërinë për tu bërë një aleate më e aftë në NATO dhe një bastion më i fortë sigurie; mbështetje për zhvillimin demokratik dhe sigurimin e zbatimit të duhur të reformave në drejtësi; dhe rritjen e mundësive të biznesit. Ajo falenderoi Kryeministrin për përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë në çuarjen përpara të prioriteteve tona të përbashkëta”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.
Për të njëjtin takim kryeministri Edi Rama publikoi disa foto pak më herët në Facebook. Kryeministri tha se me ambasadoren ka diskutuar dhe për paketën ligjore “Anti KÇK”. Ndërkohë, një fakt i tillë nuk është pasqyruar në qëndrimin e ambasadës së SHBA për takimin me kryeministrin Edi Rama.