Amnistia nuk jep zgjidhje – Mbipopullimi në burgje, Totozani dy propozime për Manjanin
Rreth 1000 persona pritet të fitojnë lirinë për festat e fundvitit, ndërsa 3000 të tjerë përfitojnë ulje dënimi nga aministia e miratuar nga qeveria për festat e fundvitit.
Por për Avokatin e Popullit, Igli Totozani, kjo nuk i jep zgjidhje mbipopullimit të burgjeve në vend.I ftuar në interevistën e mbrëmjes në RTV Ora News, ai i parashtroi Ministrit të Drejtësisë propozimin e tij.
Totozani: Amnistia lehtëson në mënyrë të përkohshme, për janarin dhe shkurtin.Një pjesë e tyre rikthehen sërish në burg.Ajo që do të mendoja unë, por kjo ka nevojë për njërëz të urtë që të ulen dhe mendojnë. Unë vlerësoj Ministrin Manjani në mënyrë të veçantë nga Ministrat e tjerë.Nuk është çështja për aministi në Shqipëri, por duhet mbyllur rubineti që krijon mbipopullim. Ose dekriminalizim i disa veprave që po mbushin burgjet dhe po bëjnë fenomen.Ose vetëm dënime alternative. Po marrim një shembull, vjedhja e impulseve telefonike dhe energjisë elektrike të mos dënohet më me burg, por me punë në dobi të shoqërisë, me pastrim, aktivitete të ndryshme në Bashkitë e qyteteve, punë në komunitet.Është e vetmja mënyrë që ekziston sot në botë nëse nuk duam të kemi mbipopullim. Një kolegu italian më bëri një shembull shumë të bukur: Juve ju mbushet banjo me ujë, nuk mund ta zgjidhni duke pastruar ujin nëqoftëse nuk mbyllet rubineti. Rubineti i mbipopullimit është që të gjitha veprat që kemi ne çojnë në burg, edhe ato më të thjeshtat.Amnistitë janë zgjidhje njerëzore, humane por nuk e zgjidhin problemin.
Totozani është në pritje të një konfirmimi pozitiv edhe lidhur me kërkesën e tij për mbylljen e burgut të Zaharisë, Sarandës dhe Burrelit.
Totozani: Besoj që autoritetet e kuptojnë dhe vetë, janë të ndërgjegjshëm që këto burgje duhet mbyllur, nuk realizojnë dot arsyen pse ekzistojnë, nuk ndihmojnë dot rehabilitimin e njerëzve.Aq më tepër të burgosurve apo të paraburgosurve.
Shqetësim për të burgosurit shqiptarë ka edhe përtej kufinjve.Totozani flet për shifra alarmante, ku vetëm në burgjet italiane vuajnë dënimin 2474 shqiptarë, prej tyre 28 femra.
Ai thotë se nevojat e tyre janë të mëdha dhe janë totalisht larg vëmendjes së shtetit shqiptar.
Totozani: Shifrat janë alarmante, vetëm në Itali ka të burgosur shqiptarë 2474 persona.Jemi vendi i tretë nga të gjithë të burgosurit e huaj që janë në Itali dhe zëmë 13%. 28 gra janë, ndërsa pjesa tjetër janë burra.Konstatova një fenomen të çuditshëm, isha në një burg afër Napolit, dhe asnjë vizitë nga institucionet shqiptare dhe asnjë kujdes për këta njerëz. Kemi detyrimin të kujdesemi.Nevojat e tyre ishin jo të vogla, qoftë dhe për libra. Ne morëm përsipër si institucion tu dërgojmë libra shqip që ti lexojnë për tu rikthyer në jetën e tyre.Të gjithë të burgosurit që vizitova, 25 veta, ishin nga një qytet i Shqipërisë të arrestuar në kohë të ndryshme. Dhe kjo është një gjë për tu studiuar. Të 25 personat ishin nga Dibra.Shteti duhet ti ketë në kontroll këto fenomene.

