Analiza/ Pezullimi i Vetting – ut. Çfarë po ndodh?

Nga Lavdrim Lita dhe Admir Malaj

Ligji mbi Vetting – un dhe kërkesa për pezullimin e tij

Reforma në drejtësi parashikon një sërë masash për rivlerësimin dhe verifikimin e figurës të punonjësve të sistemit të drejtësisë. Ky proces është bërë i njohur si procesi i vetingut. Qëllimi i rivlerësimit është të garantojë që në sistemin e drejtësisë do të punojnë vetëm ata që janë të kualifikuar profesionalisht dhe kanë integritetin për të garantuar drejtësi të pavarur dhe të ndershme. Ligji për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve u hartua me asistencë të ekspertëve europianë të EURALIUS dhe ata amerikan të OPDAT.  Ligji 84/2016 u  miratua në seancën planare të 30 gushtit dhe më 8 tetor ky ligj hyri fuqi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mirëpo me datë 6 tetor Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për pezullimin dhe shpalljen e ligjit si antikushtetues.  Janë 4  çështje kryesore të cilat ekspertët e PD detajojnë  në kërkesën për gjykatën kushtetuese.

Swiss Digital Mobile Reklama

Së pari sipas PD-së ligji nr. 84/2016, në mënyrë të përmbledhur, bie ndesh me Kushtetutën në aspektet e mëposhtme: Ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta, të varura apo nën ndikimin e politikës apo pushtetit ekzekutiv, përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Së dyti: Organet e reja të vettingut vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë. Së treti: Ligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit, standardet e procesit të rregullt ligjor, si dhe parimin e llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës.

Së katërti: Ligji dhunon parimin e sigurisë juridike sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor.

Një element risi e këtij ligji është se, në procesin e vlerësimit barra e provës i takon subjektit që rivlerësohet (gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve; ndihmësit e tyre ligjorë; si dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë) — pra ai paramendohet fajtor për çdo dyshim dhe duhet të provojë vetë të kundërtën—në ndryshim, nga parimi i paramendimit të fajësisë që zbatohet për çdo qytetar.

Pse Komisioni i Venecia –s?

Detyra kryesore e Komisionit të Venecias është të japë këshilla ligjore për vendet anëtare në lidhje me ligjet që janë të rëndësishme për funksionimin demokratik të institucioneve.

Me datë 25 tetor  Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë zbatimit të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe vendosi të kërkojë amicus curiae[1] nga Komisioni i Venecias në lidhje me pajtueshmërinë e ligjit të Vettingut me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në të njëjtën datë Komisioni i Venecias publikon njoftimin se ka marrë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë një kërkesë për Amicus Curiae.  Komisioni i Venecias nuk jep opinione detyruese për Gjykatën Kushtetuese, e cila është ajo që ka tagrin për të marrë vendimin përfundimtar.

Në datë 28 tetor Gjykata Kushtetuese i dërgon një material referues Komisionit të Venecias për ligjin e Vettingut, bashkë me disa pyetje, të cilat reflektonin dilemat e  gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin në fjalë.

Me datë 9 dhjetor pritet të dalë opinioni amicus curiae i Komisionit të Venecias, i cili  jep mendime jo mbi kushtetutshmërinë e aktit në fjalë, por në lidhje me të drejtën kushtetuese krahasuese dhe ndërkombëtare.

  • Lajmet mbi përkthimin e gabuar

Më 1 dhjetor 2016 në disa media filloi të qarkullonte një lajm i paverifikuar: “… tashmë ishte vërtetuar se Euraius, mision i BE-së në Shqipëri ishte autori i përkthimit të gabuar të ligjit të Vettingu-t që i është dërguar Komisionit të Venecias nga Gjykata Kushtetuese…”[2]

Ndërsa pak javë më parë, me datë 27 tetor 2016 një tjetër lajm qarkullonte në media dhe sipas të cilit thuhej se,“Vetting ngec tek perkthimi dhe se Gjykata Kushtetuese do ta dërgojë në Venecia sapo ai të jetë i përkthyer nga ekspertët e kësaj gjykate.[3]”

Në të dyja lajmet element i përbashkët është bazimi në burime informale, dhe në të dy rastet nuk ka pasur një përpjekje për të marrë një konfirmim nga institucionet e prekura.

Kush ka përgjegjësi për përkthimin e legjislacionit Shqiptar?

Në Republikën e Shqipërisë ka mjaft përkthyes të liçensuar nga Ministria e Drejtësisë të cilët kanë tagrin të bëjnë përkthime që njihen si përkthime zyrtare.[4]

Gjykata Kushtetuese, si institucioni që do të dërgonte një ligj të Republikës së Shqipërisë të përkthyer në gjuhën angleze, pranë Komisionit të Venecias sigurisht që duhej të ishte në dijeni të këtij fakti apo edhe të një tjetri, që sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Integrimit, thuhet se: “Ministria e integrimit përkthen legjislacionin e Bashkimit Evropian në gjuhën shqipe dhe legjislacionin shqiptar në një nga gjuhët e BE-së.”[5]

Në faqen zyrtare të misionit Euralius, rezulton se ky institucion nuk ka për detyrë të merret me përkthime, përkundrazi aty listohen mjaft fusha të tjera ku misioni i BE “Euralius” jep kontributin në konsolidimin e drejtësisë në Shqipëri.

Pra, nuk kuptohet lidhja shkak – pasojë ndërmjet përkthimit të Euralius dhe dërgimit të tij nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Venecias.

Duhet thënë nga ana tjetër se misioni Euralius për vetë natyrën ndërkombëtare, në faqen ueb ka të përkthyera në anglisht shumë nga projekt aktet ligjore për të cilat ka dhënë kontribut. Një ndjekës i rregullt mund të verëjë edhe përditësimet e njëpasnjëshme që u bëhen projekt-akteve të nismave të ndryshme, edhe se ato kurrsesi nuk mund të merren si përkthime zyrtare, por vetëm si material ndihmës. Përkthimet zyrtare të legjislacionit tonë kanë një procedurë të mirëpërcaktuar.

Edhe lajmi për gabime në përkthimin e Kushtetutës ishte sërish i nxituar, pasi në faqen zyrtare të misionit Euralius rezultonte të ishte botuar me kohë version i Kushtetutës së miratuar nga Parlamenti Shqiptar, ndërsa versioni që pasqyronte media ishte një version i vjetër mbase i botuar para shumë kohësh që kur ndryshimet kushtetuese nuk ishin finalizuar ende.

A është e garantuar pavarësia e insitucioneve të ri – vlerësimit?

Bazuar në ndryshimet e fundit kushtetuese dhe ligjin 84/2016, rivlerësimi bëhet nga Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe komisionerët publikë[6], të cilët janë të pavarur dhe paanshëm[7]. Në realizimin e detyrave ata kanë bashkëpunimin e vëzhguesve ndërkombëtarë[8].

Pavarësia dhe paanshëmria e Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit parashikohet të garantohet nga procedura e detajuar e përzgjedhjes, e cila parashikon vlerësimin paraprak të kandidaturave nga Institucioni i Presidentit, rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, si dhe ngritjen e tre komisioneve të posaçme parlamentare me përbërje të barabartë në numër të grupeve të shumicës dhe pakicës, për përzgjedhjen e kandidaturave dhe më pas votimin në seancë plenare me shumicë të cilësuar[9].

Procesi i rivlerësimit bëhet në formën e gjykimit në dy shkallë. Subjektet e rivlerësimit, në këtë rast gjyqtarë, prokurorë, inspektorë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe këshilltarë apo ndihmës ligjorë[10], kanë të drejtën e ankimimit në Kolegjin e Apelimit për vendimet e dhëna në Komision.

Tre kritere janë në bazën e rivlerësimit: vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës dhe aftësive profesionale[11]. Këto do të bëhen duke respektuar parime si ato të barazisë para ligjit, proporcionalitetit dhe objektivitetit[12]. Kështu për shembull nëse rezulton se pasuria e deklaruar është dy herë nga ajo e fituar me mjete të ligjshme, atëherë jepet vendim masë disiplinore shkarkim nga detyra[13].

Vendimet që mund të marrë Komisioni në përfundim të procesit të rivlerësimit janë tre: konfirmim në detyrë, pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare dhe detyrim për të ndjekur programe trajnimi, ose shkarkim nga detyra[14]. Ndërsa në rast ankimimi, Kolegji i Apelimit mund të japë vendim për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit, ndryshimin ose prishjen e tij. Në rast shkarkimi efektet janë të menjëhershme[15].

Vetëm Komisioni dhe Kolegji i Apelimit marrin vendime për shkarkimin e subjekteve të ri – vlerësimit.

Çfarë është më e rëndësishme vetëm Komisioni Disiplinor i formuar nga gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit merr vendime për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit, edhe pse anëtarët e institucioneve të ri – vlerësimit mund të monitorohen nga institucione të tjera, vendim – marrja për shkarkim vjen vetëm nga Komisioni Disiplinor më lart[16].

Si funksionojnë marrëdhëniet me institucionet e tjera?

Për kontrollin pasurisë, institucionet e ri – vlerësimit mbështeten dhe bashkëpunojnë me Inspektoratin e lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, i cili sipas rastit mund të kërkojë informacion pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, ose Ministrisë së Drejtësisë[17].

Për kontrollin e figurës mbështetet dhe bashkëpunon me Drejtorinë e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, si dhe Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm[18].

Këto institucione, që në disa raste janë në varësi të ekzekutivit përgatisin raportet e nevojshme me informacionin në fushën e tyre të veprimtarisë për vendim – marrjen e institucioneve të ri – vlerësimit, duke qenë përgjegjës në raste mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkë-punuar, asgjesimi, vonesat ose sjellja e papërshtatshme e procesit të verifikimit raportohen në zyrën e prokurorisë si vepër penale, sipas nenit 248, të Kodit Penal, dhe përbëjnë shkelje disiplinore[19].

Insitutcionet e ri –vlerësimit kanë në dispozicion edhe mjete të tjera për kërkimin e provave. Gjithsesi prapë duhet përsëritur se Komisioni dhe Kolegji i Apelimit e bazojnë vendimin e tyre vetëm në dokumentet nga burime të njohura, në prova të besueshme ose që janë në pajtueshmëri të dukshme me provat e tjera. Ata kanë të drejtë të çmojnë, sipas bindjes së tyre të brendshme, çdo indicie në tërësi lidhur me rrethanat e çështjes[20].

Përfundime

Në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias duhet të kemi në vëmendje se:

  1. Gjykata Kushtetuese ka përgjegjësinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet Kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës[21];
  2. Mbetet për t’u kuptuar se sa përmbajtësore kanë qenë mospërputhjet në përkthim, që gjithsesi, në analizën tonë, vinë si rezultat i punës së institucioneve përgjegjëse të Republikës së Shqipërisë;
  3. Si do që të jetë vendim – marrja për pezullimin apo jo të ligjit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, procesi ka shkaktuar vonesa në përmbushjen e një qëllimi tashmë Kushtetues të procesit të ri – vlerësimit, të miratuar me konsensus të gjërë, atij të garantimit të funksionimi të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si edhe të rikthimit të besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi[22], qëllim të cilit i nënshtrohet edhe vetë Gjykata Kushtetuese[23].

[1] Amicus curiae është një term juridik që i përkthyer fjalë për fjalë, do të thotë “miku i gjykatës”. Me këtët shprehje i referohet kujtdo që nuk është palë në një çështje, ofron vullnetarisht informacion gjykatës të një aspekti ligjor apo pjesëve të tjera të rasteve, për të ndihmuar gjykatën në vendim. Informacioni mund të përmblidhen në një opinion ligjor në formën e memorialit ose në formën e një eseje mbi një temë që ka të bëjë me çështjen.Vendimi mbi pranueshmërinë e informacionit është në diskrecionin e gjykatës.

[2] http://tvklan.al/euralius-turperon-shqiperine-dyshime-se-e-perktheu-gabimisht-me-dashje-ligjin-e-vetting-ut/

[3] http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/10/27/vetting-u-ngec-te-perkthimi-kushtetuesja-kerkon-kohe/

[4] http://www.drejtesia.gov.al/al/dokumente/lista-e-perkthyesve-zyrtare

[5]http://www.integrimi.gov.al/al/ministria/baza-ligjore/vkm/vkm-nr-119-date-07-03-2007-per-procedurat-e-perkthimit-te-legjislacionit-te-bashkimit-evropian-ne-gjuhen-shqipe-dhe-te-perkthimit-te-legjislacionit-shqiptar-ne-nje-nga-gjuhet-e-bashkimit-evropian

[6] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 179/b, pika 5,Ligji 84/2016, neni 3, pika 4

[7] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 179/b, pika 6

[8] Ligji 84/2016, neni 5, pika 1

[9] Ligji 84/2016, neni  7 – 11

[10] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 179/b pika 3, 4

[11] Ligji 84/2016, neni 4, pika 1

[12] Ligji 84/2016, neni 4, pika 5

[13] Ligji 84/2016, neni 61, pika 1

[14] Ligji 84/2016, neni 58, pika 1

[15] Ligji 84/2016, neni 66, pika 1, 3

[16] Ligji 84/2016, neni 16 – 17

[17] Ligji 84/2016, Kreu IV

[18] Ligji 84/2016, Kreu V

[19] Ligji 84/2016, neni 50, pika 6

[20] Ligji 84/2016, neni 49, pika 4.

[21] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 124, pika 1

[22] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 179/b, pika 1

[23] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 124, pika 2

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?