ANKETA / “Komunizmi në Shqipëri një ide e mirë, por u zbatua keq”
“Shqipëria e ka nisur diskutimin për shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi i kaluar më vonë se shoqëritë e tjera totalitare në Evropë. Edhe pse janë bërë disa hapa për të trajtuar këto çështje, nuk ka pasur një dialog kombëtar gjithëpërfshirës për krimet dhe përballjen me to, dhe se si të arrijmë pajtimin qoftë në nivel kolektiv, apo individual”.
Keshtu u shpreh sot ambasadori i OSBE Bernd Borchardt, ne prezantimin e anketes per “njohurite dhe perceptimet e publikut per te shkuaren komuniste ne Shqiperi”.
“Gjatë dy viteve të fundit ka pasur njëfarë hovi, nga hapja e bunkerit të Hoxhës apo “Shtëpisë së Gjetheve”, deri te ligji që mundëson hapjen e dosjeve të Sigurimit. Miratimi i këtij ligji ishte një nga katalizatorët kryesorë të kësaj ankete, sepse nxjerrja e këtyre dokumenteve pa një dialog gjithëpërfshirës mund të shkaktojë tensione në shoqërinë shqiptare ku gjithkush njeh gjithkënd. Muajin e kaluar, emërimi i anëtarëve të Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ishte një tjetër hap drejt hapjes së dosjeve. Zonja Sula shprehu shpresën e saj që hapja e dosjeve do të ndihmojë në formimin e një dialogu më të mirë për historinë e vonë të vendit, me qëllimin për ta sjellë narrativën publike për komunizmin sa më afër fakteve reale. Edhe ne kështu shpresojmë, por vërejmë se Autoriteti ka detyrën e vështirë që të fitojë besimin e qytetarëve. Ne nxisim anëtarët të punojnë fort për të garantuar pavarësinë dhe integritetin e Autoritetit që në fillim”, tha ai.
Anketa është ideuar për të mbledhur informacion mbi perceptimin e qytetarëve shqiptarë për të kaluarën komuniste dhe se çfarë duan dhe çfarë u duhet që të përballen me këtë trashëgimi.
“Rezultatet ishin tejet interesante dhe jo gjithmonë siç mund të parashikoheshin. Ne ishin veçanërisht të interesuar për të kuptuar nëse ka mbështetje të përgjithshme për hapjen e dosjeve të Sigurimit, në funksion të përdorimit potencial si mekanizëm lustracioni. Siç e dini, ligji nuk e parashikon një mekanizëm të tillë, gjë që tregon nevojën për ndërgjegjësim publik. Një tjetër gjetje interesante është se qytetarët, në përgjithësi, gjykojnë se procesi i hapjes së dosjeve do të jetë pozitiv për vendin. Gjithashtu, ndërkohë që shumica kishin njohuri të mira për standardin e jetesës gjatë regjimit të kaluar, të anketuarit ishin thellësisht të ndarë në lidhje me rolin e Enver Hoxhës në historinë e vendit.
Larmia e perceptimeve dhe opinioneve ndër të anketuarit tregon rëndësinë e hapjes së dialogut për të kaluarën, me qëllim garantimin e të ardhmes demokratike të Shqipërisë. Të dhënat e këtij raporti do të jenë të dobishme për të gjithë ne”, tha ambasadori.
Rezultate nga anketa
Në lidhje me njohuritë për regjimin e mëparshëm, të rinjtë dinë më pak rreth tipareve të komunizmit në Shqipëri në krahasim me më të moshuarit.
Gjithashtu duket se në përgjithësi qytetarët që jetojnë në veri kanë më pak informacion për regjimin e mëparshëm. Sidoqoftë, në përgjithësi, ata kanë njohuri të mira për tiparet kryesore të jetesës gjatë periudhës së komunizmit.
Një element interesant për tu marrë parasysh është roli mbizotërues i televizionit në të mësuarit e qytetarëve për të shkuarën komuniste, ndërsa shkollat duket se kanë pasur rol shumë të kufizuar.
Në lidhje me perceptimet, të dhënat tregojnë se nuk ekziston një perceptim i vetëm për regjimin komunist dhe se do të ishte gabim të hamendësohej se të gjithë shqiptarët e shohin komunizmin si diçka negative.
Gati gjysma e të anketuarve mendojnë se komunizmi në Shqipëri ishte “një ide e mirë e cila u zbatua keq”, por ka mendime të ndryshme, dhe për jetën gjatë periudhës së komunizmit nuk ekziston një perceptim i vetëm.
Shumica e të anketuarve mendojnë se të paktën disa aspekte të jetës ishin më mirë gjatë regjimit të tilla si: aspekte si siguria, arsimi dhe punësimi. Aspektet e jetës që të anketuarit mendojnë se ishin më të këqija gjatë regjimit janë zhvillimi ekonomik, mungesa e lirisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut.
Ekziston një ndasi e dukshme ndërmjet të anketuarve në lidhje me perceptimin për rolin e Enver Hoxhës në historinë e Shqipërisë, që shihet si pozitiv nga gati gjysma e të anketuarve dhe si negativ nga gjysma tjetër.
Mendimet ishin gjithashtu të ndara rreth figurave të tjera të spikatura të kohës së komunizmit si Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.
Panorama që del nga të dhënat është e ndërlikuar dhe është e rëndësishme të shqyrtohen me kujdes variacionet që ekzistojnë ndërmjet popullatës dhe jo thjeshtë të përdoren si bazë gjetjet e pandara sipas kategorive.
Vërtetë që ka dallime të dukshme njohurish, perceptimesh dhe pritshmërish ndërmjet personave që i përkasin gjinive, moshave, niveleve arsimore dhe vendbanimeve të ndryshme si dhe ndërmjet atyre që kanë vuajtur persekutimin dhe atyre që nuk e kanë vuajtur atë. Një gjë e tillë e thekson më tej nevojën për një qasje të shumëngjyrshme dhe gjithëpërfshirëse gjatë përpjekjeve për të trajtuar të shkuarën komuniste në Shqipëri.

