Anti KÇK në Shkodër, Ardi Veliu urdhëron sekuestrimin e vilave dhe pronave për 6 persona (VIDEO)

Policia e Shtetit ka njoftuar sot sekuestrimin e një sërë objektesh dhe pasurish të personave që preken nga Operacioni Forca e Ligjit dhe ligji special Anti KÇK.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit bënë me dije se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka urdhëruar sekuestrimin e pronave gjashtë persona që preken nga ligji special në qytetin e Shkodrës.

Policia ka publikuar pamje të aksionit në disa prej vilave dhe banesave ku ka ndërhyrë ditën e sotme.  Në njoftimin zyrtar policia ka dhënë vetëm inicialet e personave që u janë sekuestruar pronat.

Të hënën, Operacioni Forca e Ligjit rrethoi resortin “Golden” të familjes Hajri në Shijak, disa anëtarë të së cilës janë arrestuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës. Në sitën e kësaj strukture do të jenë të gjitha objektet, pronat dhe llogaritë bankare të anëtarëve të kësaj familje, të afërmve të tyre apo personave të tretë që dyshohet se mund të jenë përdorur për të transferuar pasuritë e krijuara përmes aktivitetit kriminal. Policia dyshon se pasuritë burojnë nga aktivitete kriminale. Policia dyshon se anëtarët e familjes Hajri janë përfshirë në aktivitete të paligjshme

Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit:

Një vazhdim të aksionit të nisur ditën e djeshme nga Operacioni Forca e Ligjit, lidhur me ngjarjen e datës 17.01.2020, sot, më datë 04.02.2020, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për subjektet e mëposhtme:

1-Shtetasit A. M., me banim në lagjen Skënderbeg, Shkodër, i është sekuestruar:

Një banesë njëkatëshe, e ndodhur në lagjen Skënderbeg, Shkodër.

2-Shtetasit M. D., me banim në Nicaj, Shkodër, i është sekuestruar:

Një banesë dykatëshe + një kat njësi shërbimi, e ndodhur në lagjen Fermentim, Shkodër;

Pasuria e llojit arë me sipërfaqe 1541 m2 ;

Pasuria e llojit truall me sipërfaqe 350 m2.

3-Shtetasit A. D., me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, i është sekuestruar:

Një banesë dykatëshe, e ndodhur në lagjen Bleran, Njësia administrative Rrethina, Shkodër;

3 automjete

1 motor.

4-Shtetasit G. F. me banim, lagjen Skënderbeg, Shkodër, i është sekuestruar:

Një banesë vilë katërkatëshe, me pishinë;

Një automjet;

5-Shtetasit A. D. me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, i është sekuestruar:

Një banesë trekatëshe, e ndodhur në Hot i Ri, Shkodër.

6-Shtetasit M. B., me banim në Grudë e Re, Shkodër, i është sekuestruar:

Një banesë dykatëshe + një kat papafingo, e ndodhur në Grudë e Re;

Një automjet.

SHKARKO APP