Argjentina fiton Kupën e Botës pas një finaleje dramatike me Francën
Argjentina fitoi Kupën e tretë të Botës në një finale spektakolare të dielën duke mundur Francën 4-2 me penallti, pasi Lionel Messi shënoi dy herë në ndeshjen që përfudnoi 3-3 në kohë shtesë dhe ku Kylian Mbappe shënoi tre gola, pasi Franca e mori veten pas një epërsie 2-0 të Argjentinës.
Ishte një natë e jashtëzakonshme me dramë dhe emocione të larta, duke ofruar një nga finalet më të mrekullueshme të të gjitha kohërave, ku dy yjet e dy ekipeve shkëlqyen në skenën më të madhe të futbollit.
Argjentina dukej se po shkonte drejt fitores pas një goditje penalltie të Messit dhe një goli spektakolar të Angel Di Marias në pjesën e parë, që u dha atyre epërsi të sigurt, por Mbappe shënoi me penallti në minutën e 80-të dhe shënoi golin e barazimit një minutë vonë, gjë e çoi ndeshjen në kohë shtesë.
Messi e kaloi Argjentinën përsëri në avantazh, por Mbappe barazoi me një tjetër penallti, duke u bërë futbollisti i dytë që shënon tre gola në një finale të Kupës së Botës pas Geoff Hurst-it të Anglisë në vitin 1966.
Kjo e çoi lojën në gjuajtje penalltish ku Franca humbi dy goditje.
Argjentina ka fituar tani gjashtë nga shtatë ndeshjet e saj në Kupën e Botës, përfshirë çerekfinalen kundër Holandës një javë më parë.
Fitorja do të thotë se pas një numri rekord prej 26 ndeshjesh në Kampionate Botërore, herën e pestë dhe të fundit që përpiqej për fitore, 35-vjeçari Messi siguroi trofeun që donte, duke u futur në kategorinë e Diego Maradonës, i cili i dhuroi argjentinasve triumfin e tyre të dytë emocional në 1986 pas të parit në 1978.
Kjo fitore duket edhe më e pabesueshme pasi vjen një muaj pasi ekipi i tij e filloi turneun duke pësuar tronditjen më të madhe në historinë e Kupës së Botës kur u mund nga Arabia Saudite.
“Është një moment historik për vendin tonë”, tha trajneri i Argjentinës Lionel Scaloni.
Hera e fundit që Argjentina dhe Franca ishin përballë njëra-tjetrës, ishte në Kupën e Botës 2018 ku Franca mundi Argjentinën 4-3, një ndeshje që u konsiderua si më argëtuesja e Kampionatit në Rusi.