Aritmetika e kanabisit: Mbi 20 mijë ton kanabis stok nga prodhimi i 2016-ës
Për deputetin demokrat Oerd Bylykbashi rënia e kultivimit të kanabisit gjatë 2017-ës nuk ka të bëjë aspak me betejën e qeverisë kundër fenomeni, por me rritjen masive të sasisë së stokut të mbledhur nga të mbjellat e kanabisit gjatë vitit 2016.
Duke iu referuar shifrave të deklaruara të premten nga krerët e Guardia di Finanza-s, dhe të raportuara në media, që “në 2016-ën u mbollën plot 219 mijë hektarë kanabis në territorin shqiptar”, Bylykbashi bën dhe një përllogaritje “të shpejtë” të sasisë së stokut që tashmë është magazinuar dhe pret eksportin e saj në Europë, ku sipas tij rezulton se janë 2 milion e 190 mijë ton kanabis që janë mbledhur nga të korrat e prodhimit të vitit të kaluar.
“Po edhe sikur 1/100 të jetë e vërtetë, janë mbi 20 mijë ton. Edhe kaq të lë pa frymë!”- thotë Bylykbashi.
Në vijim, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore të gjtihë këtë sasi kanabis e lidh drejtëpërdrejtë me përdorimin e parave të siguruara nga kanabisi në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, duke u shprehur se ajo çfarë ka ndodhur në zgjedhje është një “gjëmë” për shqiptarët.
Analiza e deputetit Oerd Bylykbashi nw “Facebook”
Sasia është rekord, madje e tillë që ka ulur edhe çmimin me shumicë në Shqipëri. Nga 1800 euro/kg që përflitej në Jug në verën e 2015-ës për shkak të monopolizimit nga Habilajt, në më pak se 100 euro për kg ne 2017. Tani këta mavritë e qeverisë krenohen se në 2017-ën janë mbjellë vetëm 60 mijë bimë. Po, a ka injorant që shpenzon para për të mbjellë sasi të reja kur tunelet, magazinat e hambarët janë plot?! As logjika më e thjeshtë e tregut nuk ta lejon. Kush është ai që investon me humbje?
Media raporton se Guardia di Finanza deklaroi në Tiranë gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm italian Minniti që në 2016, viti i mbjelljes dhe trafikimit rekord para zgjedhjeve të 2017, ishin mbjellë 219 mijë hektarë. Pra, nëse kjo është e saktë, janë plot 2 miliardë e 190 milionë metra katrorë (?!?!?) “Ustallarët” të thonë që një bimë kërkon 1 m2, pra aritmetika na thotë që janë mbjellë 2 miliardë e 190 milionë bimë. Një bimë jep një kg, pra qenkan prodhuar 2 miliardë e 190 milionë kg?! 2 milion e 190 mijë ton?! Po edhe sikur 1/100 të jetë e vërtetë, janë mbi 20 mijë ton. Edhe kaq të lë pa frymë!
Por, kur me 5 milionë eurot fitim mujor të Saimirit që i harxhonte në një fushatë stërfitohen zgjedhjet në një qark dhe kur me 20 milion euro mund të blesh të gjithë zgjedhjet, çfarë gjëme ka ndodhur me zgjedhjet në 2017-ën?


