Arratisja e 21-vjeçarit nga Komisariati/ Dera e furgonit u la hapur… polici rregullonte shallin
Një arratisje spektakolare mund të cilësohet ajo të arrestuarit Edison Pula, i cili mundi të shpëtonte dje nga Komisariati i Krujës falë pakujdesisë së dy oficerëve të policisë së Krujës.
Burime për “News24” bëjnë me dije se 21-vjeçari i prangosur ka mundur t’u ikë policëve gjatë kohës që këta të fundit e kishin transferuar nga Fushë-Kruja në komisariatit të Krujës.
Sipas policisë, në momentin që furgoni ka ndaluar në oborrin e komisariatit të Krujës, një prej policëve ka zbritur duke lënë derën e mjetit hapur, ndërsa tjetri ishte në drejtim të automjetit.
21-vjeçari i prangosur ka përfituar nga kjo situatë duke u larguar me shpejtësi. Për fatin e tij të mirë edhe porta kryesore e komisariatit ka qenë e hapur.
Të njejtat burime pohuan se asnjë prej policëve nuk ka mbikëqyrur të arrestuarin, i cili edhe pse i prangosur u arratis lehtësisht.
Pritet që dy policët e komisariatit të Krujës të arrestohen nga Shërbimi për Çështjet dhe Ankesat e Brendshme për “shkelje të rregullave të shërbimit”.
Më herët policia e Krujës deklaroi se i arrestuari dhunoi dy policët, madje kaloi dhe murin rrethues, por të gjitha këto kanë rezultuar deklarata të rreme.
Dy policët kanë qenë të shpërqendruar, pasi njërimerrej me rregullimin e shallit dhe tjetri me rregullimin e timonit, siç do të pohohej më vonë pas marrjes në pyetje të tyre.
21-vjeçari, Edison Pula sëbashku më 8 persona të tjerë u arrestua natën e së martës për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjas.
Atentati ndaj Gentjan Bejtjas ndodhi më 19 shtator, një vit pas lirimit të tij nga gjykata e Durrësit.
Sëbashku me Enver Stafukën, i cili rezulton i zhdukur, Bejtja u akuzua se vodhi makinën, e cila u përdor në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, por që u shpallën të pafajshëm.
Por, siç duket arratisjet nga komisariati i Krujës, pre e shumë sulmeve më tritol, janë një histori e njohur edhe më parë.
Në 24 qershor të 2013-s u arratis nga i njëjti komisariat Lorenc Shota, një tjetër i shumëkërkuar, pak orë pas arrestimit të tij.
/BW

