Arrestohet pronari i lokalit, dhunoi punonjësen
Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë një pronar të një lokali, pasi ka dhunuar në rrugë punonjësen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Ervin Murati, 28 vjeç, banues në lagjen “11 Janari” Fier.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga patrulla e policisë duke dhunuar (rrahur) në rrugë shtetasen N.Sh, 35 vjeçe, e punësuar në lokalin e tij në rrugën “Ramiz Aranitasi”, Fier.
Gjatë ndërhyrjes nga punonjësit e policisë për të parandaluar dhunën ndaj punonjëses së tij, shtetasi Ervin Murati i ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë duke i goditur ata.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”.

