Asfiksimi i nxënësve në Bulqizë, reagon Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar në lidhje me ngjarjen me nxënësit e asfiksuar në Bulqizë.
Ministria ka bërë me dije se gjëndja është nën kontroll, ndërkohë që 12 nxënës po transportohen në spitalin e Peshkopisë.
Reagimi i Ministrisë
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe të Peshkopisë të 27 nxënësve, 15 prej të cilëve po marrin trajtimin e duhur mjekësor në spitalin e Bulqizës dhe 12 po transportohen aktualisht në spitalin e Peshkopisë. Qendra Shëndetësore Shupenzë ka dhënë ndihmën e parë për të gjithë nxënësit dhe po vazhdon të japë shërbim në vijim të paraqitjes së rasteve të reja.
Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu po ndjek nga afër situatën në komunikim të vazhdueshëm me strukturat shëndetësore në terren dhe ka ngritur Task-Forcën e Emergjencës me mjek të specializuar për këtë ngjarje.
Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion Njësinë e Helikopterëve në rast se do të jetë e nevojshme transporti për mjekim më të specializuar në Tiranë”

