Asgjë e re nuk ka ndodhur

(Refleksion politiko-sociologjik)

Nga NDUE DEDAJ/25 vjet demokraci, siç është bërë zakon të thuhet, por ende nuk e kemi kapërcyer lumin, duke mbetur pezull mes dy brigjeve. Një vëzhgim i lirë i realitetit të sotëm të bën të mendosh se jemi prapë aty ku kemi qenë. Thjeshtë komitetet e Partisë i kemi kthyer në godina bashkish. Ato nuk janë më të frikshme, por nuk janë as të besueshme si institucione publike. Qytetet moderne prapë fshihen nga fshesarë me “ngjyrë”, me fshesë prej degësh shqope të thyera çdo mëngjes në pyllin aty afër, për të cilat shteti nuk shpenzon asnjë qindarkë. I lëshojmë paratë vuu për bixhoz apo për t’u dehur më shampanjë në festat partiake, kurse shtëpinë e përbashkët, qytetin, e fshijmë në të aguar me atë fshesën prehistorike të epokës së gurit dhe jo vetëm në Pukë e Skrapar, por dhe brenda unazës së vogël të Tiranës.  Pallatet i kemi të suvatuara nga ana e bulevardit, për sytë e botës dhe të nxira nga ana tjetër, sepse ne ende kujdesemi vetëm për dukun dhe jo për thelbin e gjesë. Vite më parë në një shkollë fshati të rikonstruktuar, ku qëlloi të shkonte për vizitë Presidenti i Republikës, ishte bërë e bukur ballina dhe mjediset, por nuk ishin bërë banjot, nuk kishte uji dhe rrymë elektrike. Çfarë investimi mund të ishte ai? A nuk kemi mbetur dhe sot prish e ndriq sheshet e qendrave të qytetit? A mund ta gjejë dikush “kuitz”-in sa herë është prishur e ndrequr sheshi “Skënderbej”?

Ne luajmë vetëm me imazhin, me këndelljet apo shuplakat politike, me nervat e njëri-tjetrit, mbi të gjitha me paratë e popullit. Luajmë me mjeshtri “publiken” për të qenë sa më të shkrirë me popullin. Trukohemi përditë për sytë e tij. Jo vetëm vajzat e pasarelave, por dhe burrat e shtetit. Kjo është moda, ky si duket është trendi i të gjitha kohërave. Ju kujtohet udhëheqësi komunist kur vente mes fëmijëve veshur me kostume tradicionale, hynte në valle me ta dhe vinte në kokë qeleshen e bardhë me majucë, për t’u dukur sa më popullor, ndërkohë që elitën e vendit e kishte ngujuar në Spaç me nga 30 vite burg? Ja, këtë bëjnë dhe udhëheqësit e sotëm kur gjenden mes ngjyrave dhe ritmeve të folkut, “vishen” me to si yje bashkëkohorë. Sekretari “legjendar” i socialistëve vete mes naftëtarëve dhe nuk harron të verë mbi kokë kapelen e tyre që i vjen era naftë. Është një gjest që e bëjnë rregullisht shtetarët xhentelmenë, ministrat kur venë në kantieret e punës. Nuk po flasim për rastet kur veshja me uniformën e punës është e nevojshme sipas rregullores së sigurimit teknik, por kur funksionarët dhe politikanët vishen me kostumin e hipokrizisë… elektorale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Asgjë e re nuk ka ndodhur. Kryeministri zemërohet me publicistët dhe analistët, njëlloj si dje udhëheqësit në diktaturë, duke dalë në radhë të parë kundër vetes së tij të dikurshme, pasi ai njihet si një nga penat më të mprehta të gazetarisë së guximshme politike të pas 90-s, që nuk e kursente lidershipin e demokratëve asokohe në pushtet. Kurse tani, krejt e kundërta, e mbron qeverinë që drejton nga “sulmi” i mediave te lira. E, pra, një individ i pakrahasueshëm në asgjë me byroistët e djeshëm, për nga formimi bashkëkohor, paraqitja prej shoumeni etj. Por, për çudi, edhe mediat shpesh zemërohen me zotin Kryeministër, duke lëshuar batuda të ndërsjellta. Rrallë bëhet ndonjë analizë që vlerëson punët e mira të qeverisë, pasi tani në modë është oponenca, kritika, por dhe nihilistët, kritizerët. Kjo zbulon një problem themelor të mediave, të cilat vetëm mohojnë dhe nuk pohojnë, kur dihet që gazetaria është e të dy planeve. Në të vërtetë bëjmë të kundërtën e asaj që bënim dje, kur vetëm shkruanim për rezultatet e atykëtushme e asnjëherë për rënien ekonomike, aksidentet etj. Gazetaria është vërtet oponencë e qeverisjes, por opozita partiake duhet të jetë njëherësh dhe alternativë jo deklarative. Mirëpo lideri demokrat shfaqet thuajse gjithnjë i zemëruar me qeverinë, por pa qenë gjithnjë bindës me atë që ofron për nesër, aq më tepër kur thotë se del përherë e më i fortë nga “betejat” me të vetët brenda partisë apo grupit parlamentar!? Thënë ndryshe, në politikën shqiptare ende nuk ka ardhur lideri i tipit modern, që nuk pozon para masave, por thjeshtë komunikon me publikun me këmbët në tokë. Që jemi aty ku kemi qenë e tregoi dhe rezultati i fitores 76 përqind të kreut të LSI-së, i cili ka 11 vjet që e qeveris forcën e tij politike dhe duket se nuk do të ndahet ndonjëherë prej saj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Analiza në këtë kontekst nuk është aspak e vështirë, pasi shembujt janë aq të shumta. Vetëm forma ka ndryshuar, por jo dhe përmbajtja e gjerave, dhe pse thuhet se ato janë një unitet filozofik. Flitet për demokracinë, por me mendësi komuniste. Klishetë janë gati. Askush nuk del përtej tyre. Edhe në pastë ndonjë individ apo institucion që “guxon” e bën diçka ndryshe, janë gati snajperët ideologjikë të së djeshmes, si gjithnjë sogjetarë të mos dëmtohet vija. Sepse ballistët duhet të jenë po ata, pa patur asnjë veçim mes tyre, rrjedhimisht asnjë dekoratë. Por ashtu dhe bejlerët, dhe pse kishte nga ata që i siguruan rrugën Ismail Qemalit për në Vlorë. Punë e madhe nëse historianët zbulojnë e publikojnë të dhëna e dokumente që nuk njollosin gjithkënd, se nuk duhet ta trajtojmë më historinë në grup, në bllok, këta të mirët – ata të këqijtë, se duhet bërë më në fund diferenca aty ku ajo ka qenë dhe se nuk është normale që “mjegulla” e kohës së shkuar të vazhdojë të mjegullojë dhe të sotmen.

Nuk është vetëm sjellja mediatike, politike atje lart, por dhe e përdishmja jetësore, ku shpesh pamja e zyrtarëve është tjetër për sytë e publikut dhe të kamerave dhe tjetër jashtë tyre. Mjafton të vëresh sjelljen e njerëzve me pushtet. Ata sikur nuk ecin përtokë. Je në njërin nga lokalet moderne të qytetit duke pirë kafe dhe befas sheh të hyjnë tre-katër burra të zhurmshëm, që nuk janë si gjithë të tjerët, jo se porosisin “xhoni” që në orën 7 të mëngjesit dhe shpejt e përsërisin porosinë, që e paguan gjithnjë ndonjë “rajá” i tyre. Flasin me të madhe. Çudia është kur ndonjëri ndez dhe ndonjë cigare!  Mendon për një çast se janë nga ata të “fortit” e lagjes, por jo, janë njerëz të ligjit, prokurorë, gjykatës, hetues, që s’donin t’ia dinin në atë mjedis publik se vetingu fillon te sjellja qytetare para se të dosjet e përlyera apo të papërlyera të punës. Edhe pse të veshur firmato, mendësia e tyre është e vjetër, ne jemi ndryshe nga “populli”. Pas pak ata do të hyjnë në zyrat me komfort dhe do të shqyrtojë hallet tona juridike, duke dhënë drejtësi shpesh të korruptuar. Pa harruar dhe disa profesorë universitetesh, që ngatërrohen në “llogari” provimesh të studentëve.

Ndaj themi se asgjë e re nuk ka ndodhur. Ka ndodhur mbase vetëm një “histori” e re, kanabisi… rreth së cilës për fat të keq rrotullohen të gjitha të tjerat.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?