Policia e Shtetit: Kush largohet 500 m nga banesa dënohet edhe nëse ka autorizim!

Policia e Shtetit ka njoftuar sot në mbrëmje se autorizimet për daljen nga banesa në dyqane ose farmaci janë të vlefshme vetëm për një distancë 500 metra larg banesës. Natyrisht që urdhëri është dhënë nga kryeministri, por Policia e Shtetit thjesht zbaton çka thotë Surreli.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit bën me dije se qytetarët që “largohen më shumë se 500 m nga banesa, pasi në rast konstatimi të shkeljes së këtij rregulli, do të ndëshkohen me masë adiminstrative njësoj si ata që lëvizin pa leje”.

Po ashtu, Policia e Shtetit shprehet se lejet e qarkullimit që janë dhënë për personat që shkojnë në punë me makina do të pezullohen nëse drejtuesit e mjeteve lëvizin jashtë orarit 05:00-8:00 dhe 16:00-17:30.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

Duke konsideruar urdhrin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 256, datë 10 prill 2020, ku është zgjeruar fasha orare e lejuar për qarkullimin e mjeteve nga ora 05:00 deri në 17:30, Policia e Shtetit tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara dhe sqaron që kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme.

Është e lejuar vajtja dhe kthimi në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi në banesa në fashën e dytë orare 16:00-17:30.

Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve të përftuara, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen.

Gjithashtu, të gjithë qytetaret të cilët janë pajisur me autorizim individual nga aplikacioni e-Albania nuk duhet të largohen më shumë se 500 m nga banesa, pasi në rast konstatimi të shkeljes së këtij rregulli, do të ndëshkohen me masë adiminstrative njësoj si ata që lëvizin pa leje.

Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me rigorozitet çdo masë kufizuese, duke kontribuuar të gjithë së bashku për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

SHKARKO APP