Atentati me snajper në burgun e Vaqarrit, 20 vjet burg për autorin
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 20 vite burg Ergys Kolaverin, si autorin e atentatit me snajper në burgun e Vaqarrit në korrik të 2016-së.
Prokuroria kishte kërkuar 30 vite burg për Kolaverin, por Gjykata vendosi për 20 vite burg.
Pas dhënies së vendimit ka reaguar për Report TV avokati i Kolaverit, Sajmir Vishaj. Avokati thotë se vendimi është i turpshëm dhe janë falsifikuar provat. Sipas Sajmir Vishajt, Ergys Kolaveri nuk ka qenë në vendin e krimit, siç pretendon akuza.
Në 30 korrik të 2016-së, një atentat me snajper iu bë Gazmir Daçit në ambientet e brendshme të burgut të Vaqarrit. Gazmir Daçi ishte duke dalë në ambientet e jashtme, kur është qëlluar me snajper nga një kodër aty pranë.
Plumbi nuk ka kapur Gazmir Daçin, por një të dënuar nga Kosova. Sipas Prokurorisë Kolaveri ishte i pajisur me një armë të sofistikuar snajper dhe ishte vendosur në një distancë të largët në ambientet e jashtme të burgut dhe priti derisa Gazmir Daci doli në ajrim për ta qëlluar.
Prokuroria thotë se ka qenë Ergys Kolaveri i cili bëri atentatin që nuk doli i suksesshëm, për motive hakmarrje. Kjo për faktin se Gazmir Daçi ka vrarë Gazmir Kolaverin dhe ka plagosur Robert Kolaverin, të dy vëllezër të Ergys Kolaverit.

