Aty e keni Arben Krajën, ndryshoni Kushtetutën!
Nga Lindita Kokoli
Sherrnaja e madhe për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ka prishur miqësitë e kryeministrit Rama me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Por jo vetëm, sepse ambasadorja nuk flet në kokën e saj, por ajo përfaqëson presidentin e SHBA në çdo gjë që thotë apo çdo veprim.
Që ambasadorja ka dhënë mbështetje të hapur deri më tani pro kryeministrit shqiptar, këtë nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e kupton.
Por kur vjen puna të krijesa amerikane, kryesisht, por edhe europiane, siç është SPAK, ata nuk falin!
Shpresa e vetme e tyre për pastrimin e politikës tradicionale të kriminalizuar dhe korruptuar mbetet SPAK, që muajin e fundit duket se ka lëkundje integriteti në publik. Dhe kjo jo nga drejtimi i deritanishëm prej Arben Krajës, i cili është korrekt dhe profesional. Por për dreq SPAK ka filluar çarjet brenda shtëpisë së tij, pasi po luhet për të zgjedhur një kryetar të ri ditën e premte paradite.
Deri tani fytyra e SPAK në publik ishte pozitive.
Nga fillimi i procedurës ku KLP do të përzgjedhë një emër të ri në krye të SPAK-ut dolën lojëra që nuk duken, por që ndihen nga deklaratat e vazhdueshme të ambasadores amerikane, e cila ka informacione të klasifikuara se dikush nga pushteti po synon të zgjedhë njeriun e tij.
E kjo gjë, ka vënë në dyshim pavarësinë e prokurorëve, sepse fakti që thuhet nga ambasada e SHBA në Tiranë, se “Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë ose favore – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet…”; e gjitha kjo deklaratë publike amerikane shpreh dyshimin se po ndërhyhet nga pushteti për “njeriun e tyre”. Me Kushtetutë dhe ligj prokurorët nuk duhet të kenë lidhje apo ndikime politike, pasi kjo e komprementon këtë institucion drejtësie që duhet të arrestojë “peshqit medhënjë”.
Deri më tani Arben Kraja ka krijuar eksperiencën e duhur me vendime dhe specializime, bile edhe në SHBA, te homologët amerikanë.
Derisa të gjitha palët politike, qeveritare dhe ambasada amerikane e kanë pranuar Arben Krajën si drejtues korrekt dhe i pa manipuluar, atëhere pse turren ta përçajnë këtë institucion shumë të rëndësishëm që do të penalizojë zyrtarët më të lartë të shtetit apo ish-zyrtarët që kanë patur qindra milionë euro nëpër duar.
Një argument, jo bindës, është se gjoja nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë, pasi nuk mundet të rizgjidhet kreu aktual, se nuk lejohet me Kushtetutë.
Po pse pakherë e kanë ndryshuar Kushtetutën për një orë, bile me kapituj të tërë dhe nuk ka folur njeri?! Pse nuk jemi dëshmitarë se si u ndryshua Kodi Zgjedhor në mes të fushatës elektorale vetëm që të fitojë prapë Edi Rama?
Ndaj nëse duan dhe nëse ka qenë korrekt drejtuesi aktual Arben Kraja, pse nuk ndryshojnë Kushtetutën në parlament dhe shtojnë vetëm një paragraf pak a shumë kështu: “një prokuror i SPAK ka të drejtë rizgjedhje vetëm një herë si kryetar i këtij institucioni”.
Me kaq SPAK-u vazhdon punën pa përçarje dhe sherre, duke e rikandiduar Arben Krajën, derisa të gjithë e pranojnë si drejtues profesionist.
Por nëse vazhdohet kështu i kanë futur thikën SPAK-ut dhe me pas do të shikojmë se si ata do të përçahen dhe arrestojnë për llogari të grupimeve politike e jo sipas Ligjit.