Autorët ende të lirë, ja snajperi me të cilin u ekzekutua Kastriot Reçi
Vrasja e biznesmenit Kastriot Reçi në qendër Rrëshen me plumb në zemër, vijon të mbetet pa autor. Policia ka ushtruar kontrolle të shuma si dhe janë marrë në pyetje disa persona por ende asnjë rezultat në identifikimin e autorëve. Personi që vrau me snajper Reçin, sipas hetimeve rezulton që të jetë qitës profesionist, kjo duke ju referuar mënyrës së ekzekutimit. Dyshimet janë që kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë.
Autori ka qëlluar me snajper nga një distance afro 200 metra dhe ka qenë i saktë në shënjestrën e tij, duke lënë të vdekur në vend Reçin duke mos dëmtuar asnjë person tjetër përreth zonës. Prova të forta për grupin hetimor është arma e krimit si dhe parukja që ka përdorur autori që u gjetën në afërsi të tregut të qytetit të Rrëshenit, të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar për tu analizuar në laboratorin e Policisë së Shtetit.
Po verifikohen me imtësi dhe kamerat e sigurisë, dy prej të cilave kanë filmuar autorin e ngjarjes por edhe automjetin me të cilin ka ardhur. Duke qenë se autori ka qenë i veshur si grua identifikimi i tij nga pamjet filmike është mjaft i vështirë. Nga ana tjetër, po verifikohet edhe telefoni i viktimës për të parë bisedat telefonike apo dhe mesazhet e kohëve të fundit me ndonjë person të dyshimte. Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper rreth orës 11:00 të paradites së të martës, teksa po hynte në lokalin e tij në qendër të qytetit të Rrëshenit.