Ballkani Perëndimor në fokus të gjeopolitikës amerikane. A paraqet z. Trump një sfidë?
Nga Kristaq Xharo*
Profesor Kristaq Xharo sjell në këtë shkrim për rubrikën debat të gazetës MAPO një këndvështrim mbi ndikimin që do të ketë presidenca e Donald Trump në Ballkan dhe në Europën Lindore. Ai polemizon me një qëndrim të shprehur nga historiani Paskal Milo pak ditë më parë në gazetën “Panorama”. Profesor Xharo thotë se gjithçka do të varet nga raporti mes partisë republikane dhe presidentit Trump. Nëse republikanët do të kenë ndikim apo do të jenë përcaktues në politikën e jashtme atëherë nuk do të ketë ndryshime në politikën e jashtme të SHBA-së në Ballkan dhe Europën Lindore. Në të kundërt mund të ketë ndryshime fare të vogla.
Ka një debat të ndjeshëm në Ballkan për atë se si do të sillet z. Trump dhe se si do të ndikojë politika e tij e jashtme në rajon. Edhe pse ai u zgjodh vetëm katër javë më parë dhe ka ende edhe një muaj para se të fillojë detyrën zyrtarisht, apo edhe për faktin që është një lider “befasues”, tashmë mjaft analistë nuk ngurojnë të bëjnë parashikime se cilat do të jenë impaktet e politikës së “re” amerikanë në rajon. Edhe pse dihet, është provuar në kohë se presidentët amerikanë kanë rolin e tyre në avancimin apo në një zhvillim më konstant të politikave, nëpërmjet lidershipit të tyre, ata (presidentët) nuk kanë tentuar të devijojnë drejtimet për doktrinat, vizionet apo “grand strategy”, të cilat kanë qenë shina të hekurta të rolit hegjemonik të SHBA. Pjesa motorike e shprehur nëpërmjet dinamikës apo larmisë së taktikave kanë përvijuar modelin e lidershipit. Të paktën që pas vitit ’90 janë ndërruar disa presidentë (republikanë apo demokratë), por jo gjeopolitika amerikane, në rastin më të mirë për rajonin e Ballkanit. Po aq inkurajuese ka qenë ajo edhe direkt për shqiptarët.
Në shkrimin e tij “Çfarë pret Ballkani pas zgjedhjes së z. Trump?” analisti amerikan Daniel Server shprehet thjesht – Jo shumë… Ka kaluar një kohë e gjatë, që kur një president i SHBA e shpalli Ballkanin si prioritet. Kjo u pasua në dy ndërhyrje ushtarake amerikane (NATO-s) në Bosnjë dhe Kosovë. Më pas dislokimi i NATO-s duket se e ka zhvendosur më poshtë Ballkanin në listën e prioriteteve. Kjo nuk është një gjë e keqe thotë Server sepse demokracia dhe ndërtimi i shtetit në Ballkanin Perëndimor ka qenë relativisht i suksesshëm, me Slloveninë, Kroacinë dhe Shqipërinë, tashmë anëtarë të NATO-s dhe Malin e Zi në procesin e anëtarësimit. Sllovenia dhe Kroacia janë gjithashtu anëtarë të BE-së dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit janë të orientuara vendosmërisht në këtë drejtim, secili me ritmin e vet. Edhe eksperti britanik i Ballkanit, James Ker-Lindsay shprehet se fakti që të gjitha vendet e Ballkanit kanë të njëjtin orientim për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian është pozitiv për ekonominë dhe sigurinë. Dhe kjo lëvizje ka shumë pak gjasa të ndryshojë kursin qoftë edhe gjatë mandatit të presidentit të zgjedhur Trump.
Kur amerikanët votuan për të ndryshuar status quo-në, duke vendosur z. Trump në pozicionin më të fuqishëm në botë, ata patën mundësitë potenciale për të ndryshuar, por ndoshta edhe pa e kuptuar ata paraqitën dilema edhe në gjithë statusin gjeopolitik global. Dhe, nëse ndryshimi do të prekte Europën, askund më shumë se në Ballkan ky ndryshim do të reflektonte. Por, a mund dhe si mund të përfytyrohet ky ndryshim? Deri në çfarë mase parashikimet mund të jenë të drejta apo të gabuara, koha padyshim do ta tregojë. Duke marrë një pozicion gati ekstrem të shqetësimit për stabilitetin e rajonit dhe jo një preferencë për presidentin e zgjedhur, partinë, pozicionin apo ideologjinë që mund të aplikohet – shpresojmë se ato janë vetëm hipoteza të gabuara.
Ndoshta mënyra më e mirë për të kuptuar se si dhe sa presidenca e z. Trump do të ketë efekt mbi Ballkanin, ndoshta vlen të nisemi nga dy reflektime fillestare: së pari, cilat do të jenë raportet dominuese midis Shtëpisë së Bardhë dhe Partisë Republikane, nëse do të ketë një të tillë. Pra, nëse do të kemi një president që udhëheq Partinë Republikane apo një të tillë të udhëhequr nga republikanët. Në këtë rast në mënyrë direkte, ose bilaterale do të jenë edhe raportet midis Shtëpisë së Bardhë dhe kryeqyteteve të Ballkanit. Së dyti, edhe pa filluar të trokasin këto efekte, ato vlejnë që të merren në konsideratë janë raportet Shtëpi e Bardhë – Kremlin. Shumë analistë besojnë se kjo nga dinamika e marrëdhënieve (nëse do të ndryshojë) midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit do të reflektojnë në raportet midis Shtëpisë së Bardhë dhe kryeqyteteve evropiane. Në çdo rast ato do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rajon.
Duke pasur parasysh çështjen e parë: Trump dhe Republikanët – Nëse republikanët do të dominojnë mbi vendimet e presidencës, parashikimet janë disi më të lehta për t’u vlerësuar. Nëse do t’i referohemi tregtisë, për të cilin z. Trump ka shpenzuar një pjesë të mirë të ligjërimeve të tij gjatë fushatës elektorale, mund të mendojmë që kjo temë nuk pasur ndonjëherë si referencë Ballkanin. Ballkani nuk është në prioritetet e partnerëve të rëndësishëm tregtarë të Amerikës. Në këtë mënyrë shumë pak vende të rajonit do të ndjenin ndryshim në planin afatshkurtër në këtë arenë, pavarësisht faktit se z. Trump apo republikanët dalin në krye të “përplasjes” së sferave të influencës.
Politika e jashtme: Republikanët tradicionalisht favorizojnë forca të mëdha të armatosura, por me tendenca për t’i përdorur sa më pak ato. As z. Trump, por as udhëheqja e tanishme republikane nuk duket se do të kenë kundërshti apo mungesë konsensusi. Këtu nuk shmangen edhe mesazhet ndoshta pak konfuze të Trump: se Iraku ishte gabimi për Amerikën dhe ndërkohë është kritik për mosndërhyrje në Sirinë për të shtypur ISIS e për të rrëzuar Asadin. Në këto kushte duket se ka pak gjasa për t’u marrë direkt me gjendjen e demokracisë në Ballkani. Një shumicë republikane e drejtuar nga Trump do të jetë megjithatë shumë më e paparashikueshme, dhe mund të ketë efekte më të ndikueshme gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Nëse kjo do të ndodhë, mendojnë shumë analistë nuk përjashtohet mundësia që këto zhvillime të kenë efekte pak të ndikueshme në Ballkan. Përndryshe një Trump i orientuar nga shumica republikane do të ketë shumë më pak gjasa të përsërisë gabimet e paraardhësve të tyre neo-konservatore në Irak dhe do të dëshironte të vazhdojnë të bashkëpunojnë me partnerët europianë (BE-në) për të garantuar stabilitetin në rajon.
Pyetja që shumica e analistëve vazhdojnë të debatojnë është se çfarë vendi do të zërë Ballkani në marrëdhëniet SHBA-Rusi. Kjo, padyshim që është një çështje komplekse – por të gjithë në rajon e dinë mirë se nuk pritet të ketë një ndikim të dukshëm shprehet analisti serb Milan Misic në Balkan Insight. Nuk mohohet që loja afatgjatë e Rusisë përballë Europës dhe SHBA është dominuar nga tendenca për të destabilizuar ekuilibrin europian në çfarëdo që të mund dhe kudo që të mundet. Në këtë kontekst Ballkani nuk përjashtohet të shërbejë si një “shesh lojërash”. Serbia, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia, më shumë se të tjerët në rajon janë objekt i përpjekjeve të ndërhyrjes ruse, qoftë edhe në idenë për të konsumuar energjitë dhe kapacitetet e BE dhe NATO-s dhe për t’i penguar këto vende drejt objektivit për t’u përafruar apo integruar në këto dy organizata me frymë dhe inspirim perëndimor. Ndoshta edhe më prezent do të jetë në të ardhmen ndikimi rus në vendet ballkanike që ndodhen në prag-zgjedhje dhe ku nuk mungojnë kandidatë favorit pro-rus.
SHBA-NATO – Ballkan. NATO e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka shfaqur dhe demonstruar kundër-balancat e veta në rajon me Greqinë, Shqipërinë, Turqinë, Bullgarinë dhe Rumaninë duke i bashkuar në aleancë. Mali i Zi gjithashtu është në prag të bashkimit. Në këtë mënyrë bregdeti i Ballkanit është ngjyrosur tërësisht me ngjyrë blu dhe duket ëndrra ruse për të dalë më së paku në Adriatik është venitur, në mos shuar. Fokusi i mundshëm i Rusisë mund të jetë Serbia, Bosnja dhe Maqedonia. Nëse Trump do të riaktivizojë idenë e tij për një rivlerësim të NATO-s, besohet që organizata do të ketë momentet e saj të vështira e ndoshta ky do të ishte momenti i Putinit. Por edhe nëse, Trump do të reflektojë interesat dhe prirjet e republikanëve për sa i përket aleancës, qoftë edhe në rast të një “romance” midis z. Trump dhe Putinit, ky skenar vështirë se mund të luhet. Është e vështirë të imagjinohet megjithatë, se një përmirësim i vogël i ndryshueshëm për vlerësimin e Putinit në mesin të republikanëve do të çojë në shpërbërjen e NATO-s. Kjo mund të ngadalësojë planet e zgjerimit të organizatës, por jo dorëzimin ndaj Putinit. Shtetet e Bashkuara, shkruan analisti rus i Institutit për Studime Strategjike të Rusisë, Andrew Korybko në “Trump dhe Ballkani” – nuk do të “dorëzojë” ndonjë prej shteteve të NATO-s në Rusi, kështu që kjo në thelb lë vetëm shtetet jo-NATO si potencialisht “të prekshme” për të qenë nën hapësirat e mundshme të marrëveshjes midis dy të mëdhenjve. Prandaj, vetëm Bosnja (republika serbe e Bosnjës) dhe Serbia, proporcionalisht, mund të jenë një pjesë në këtë hipotezë.
Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor në një masë të konsiderueshme përcaktohet nga prezenca e NATO-s. Ndaj edhe raportet midis Trump dhe NATO-s do të mbesin shumë të rëndësishme për sigurinë e rajonit. Gjatë muajve të fushatës elektorale diskutimet për NATO-n zunë një vend të veçantë në mediat perëndimore. Duket sikur zanafilla e tyre lidhet me deklaratat e përsëritura të z. Trump. Xhorxh Fridman e kundërshton qartazi këtë ide dhe thotë se debati është më i hershëm, ndërsa z. Trump ka “meritën” se këtë debat e ktheu në një çështje kryesore në kontekstin e politikës së tij të ardhshme. Debati për NATO-n vlerësohet mjaft i rëndësishëm, pasi deri më sot, për më shumë se 67 vjet, vendet evropiane, më parë ato perëndimore e tashmë edhe ato lindore e shohin NATO-n si faktor kryesor, në kapacitetet e tyre të mbrojtjes dhe të sigurisë. Në këtë pozicion ndodhet tërësisht edhe vendi ynë. Në mënyrë kronologjike, z. Trump fillimisht shprehu skepticizmin e tij ndaj bllokut (NATO-s), duke e quajtur atë “të vjetruar- të papërdorshme”, në epokën e luftës kundër terrorizmit global. Edhe më befasuese ishte deklarata e pak mëvonshme se “…ndoshta NATO do të duhet të shpërndahet dhe kjo është OK, nuk është gjëja më e keqe në botë”. Më vonë ai vazhdoi se nuk mund të themi që “e kaluara nuk ka rëndësi, dhe se vlerat që ne ndajmë nuk kanë rëndësi, por ne nuk mund të nxjerrim më shumë dollarë jashtë (për NATO-n), ndaj do të kërkojmë sa të jetë e mundur një zgjidhje më të mirë nga tani”. Por ajo që erdhi si vetëtimë në një qiell vere, e që tronditi gjithë Evropën ishte deklarimi se SHBA nuk do të angazhohet aq sa deri tani në mbrojtjen e aleatëve evropianë. “Hej, ju aleatë në NATO”, shkruante Trump, në një postim në Facebook, në korrik-2016, “Nëse ne nuk rimbursohemi për koston e madhe të mbrojtjes suaj, unë do t’ju them – Urime, mbroni veten tuaj.. SHBA nuk mund t’i vijë në ndihmë çdo aleati në NATO, në rast të një konflikti…”.
Më shumë gjasa, përveçse elektorale, vlerësojnë analistët, z. Trump, më tepër ka për qellim të ndikojë për të reduktuar kontributin e madh disproporcional të SHBA. Kjo është një kambanë e qartë se çdo vend i aleancës duhet të shohë kontributin dhe angazhimin e tij. Dhe kjo për dy arsye: së pari, për të balancuar peshën e aleancës e me këtë rast për t’ju përgjigjur kritikave dhe së dyti, për të qenë në gjendje për të ngritur kapacitete efektive nacionale. Në të vërtetë në të dyja rastet veprimet janë brenda kontekstit të Aktit Themelues. Ndërsa nuk besohet mundësia që tërheqja amerikane, apo qoftë edhe reduktimi i rolit të saj mund të zhvendosë objektivin nga “artikulli 5” për mbrojtje kolektive, drejt rivlerësimit pothuajse të harruar deri në këtë kohë të “artikullit 3”, të Aktit Themelues, për kapacitete të mjaftueshme kombëtare në përballimin e rrezikut, në fazën e parë të agresionit. Pra në çdo kontekst Trump nuk tha më tepër se ç’kishte paralajmëruar në qershor 2010 Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, nga Brukseli.
Natyra që mund të marrin marrëdhëniet personale mes Putin dhe Trump nuk besohet se do të vendosë ndonjëherë në dyshim interesat amerikane. Në pamjen më të dukshme ato mund të jenë më afër një “show” dhe nëse nuk do të jetë e tillë atëherë – shprehet analisti i njohur Richard Newell, padyshim ngelet hapësirë për një riformatim për të ulur tensionet e marrëdhënieve amerikano-ruse, të cilat padyshim do të shpien në një frenim në oborrin e pasmë të NATO-s në Ballkan – që do të ishte një fitore për Putinin, dhe një humbje për vendet joanëtare të NATO-s në Ballkan. Skenari më i vështirë do të ishte se deri sa të sqarohen nivelet e raporteve midis z. Trump dhe republikanëve, amerikanët ndoshta do të merren më tepër vetveten dhe kjo sigurisht do të krijojë një vakum. Në këto kushte i vetmi aktor gjeopolitik që mund të mbushë këtë vakum shpresohet që të jetë BE, e cila vlerësohet tashmë si një faktor tepër determinues ekonomik dhe politik në rajon. Nëse edhe BE, do të vonojë dhe do të rimerret vetëm me problemet e saj të brendshme aq sa të anashkalojë interesat e veta gjeostrategjike, atëherë Rusia dhe pse jo edhe Turqia do të rrisin peshën e vet në Ballkan dhe do të plotësojnë këtë vakum. Për momentin duket që pesha e këtyre “gurëve të mëdhenj” (SHBA-BE) vështirë se mund të shmanget nga Putin dhe Erdogan.
Prandaj, në trekëndëshin BE/ SHBA/ Ballkan, përgjigja e Evropës për skenarin më të vështirë është çelësi. Por kjo ka edhe disa nën-skenarë: Skenari i vërtetë më i keq (dhe jo vetëm për Ballkanin), është se, të nxitur nga Brexit, Trump në rastin më të ashpër dhe financimet ruse, apo më tej Marine le Pen, kandidon për një ofertë anti-BE dhe fiton zgjedhjet presidenciale franceze. Analistët besojnë se nuk ka gjasa që do të ketë një efekt domino nga vendet e tjera të BE. Por, nëse kjo do të ndodhë (efekti domino), Ballkani duket se do të jetë një objekt “i zbuluar” dhe vetëm në një angazhim më të madh të forcave progresiste në Ballkan mund të shmangin një histori të trishtë.
Nga ana tjetër, skenari i dytë dhe shumë më i mundshëm është se BE-ja do të rigjejë energji për në kohë, të përmbushë potencialet e saj me aftësi dhe forcë, dhe të kundër-balancojë në lindje të saj (Ballkan) peshën e Rusisë apo ndonjë fuqie tjetër. Brexit mund të vijë e të shkojë, megjithatë, Evropa mund dhe do të gjejë një mënyrë për të bashkuar europianët, për të përmbushur kërkesat e tyre, pa braktisur parimet e saj themeluese, duke siguruar prosperitet brenda saj dhe njëkohësisht duke dhënë sinjale për vendet e tjera të Ballkanit. Vendet e Ballkanit besojnë se ajo është dhe mbetet serioze në lidhje me to – dhe se ajo e shikon Ballkanin Perëndimor me të vërtetë si pjesë e munguar e saj. Kjo mund të tingëllojë shumë optimiste. Shumë gjëra pothuajse të mrekullueshme duhet të ndodhin në të njëjtën kohë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ato do të ndodhin, shkruan analisti Richard Newell në artikullin “Ballkani – Trump dhe Rusia”.
*profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare UET. MAPO
KOHA JONË SONDAZH

