Banka Botërore: Kujdes! Jo çdo investim bëhet me koncesion
Banka Botërore ka paralajmëruar qeverinë të ketë kujdes me projektin 1 miliardë euro, apo siç njihet ndryshe PPP. Përfaqësuesit e Bankës Botërore në Shqipëri kanë deklaruar se jo çdo investim bëhet me koncesion.
“Jo çdo investim mund të bëhet me koncesion. Disa duhet të jenë në mënyrë strikte investime të qeverisë, disa të tjera private. Por të gjitha duhet të shihen në kontekstin e një strategjie kombëtare. Qeveria duhet të shohë cili projekt ka leverdi dhe gjithashtu duhet të mendojë për disa faktorë kur miraton një PPP: transparencën, kërkesën e llogarisë, duhet të shohë pasojat fiskale, sepse në fund të fundit ato do të paguhen nga taksapaguesit dhe kjo do të sjellë pasoja tek borxhi. Pra, e rëndësishme është që ai borxh ose ai investim të sjellë përfitime”, deklaroi Maryam Salim, drejtoreshë e BB për Shqipërinë.
Banka Botërore vlerëson se prodhimi kombëtar i Shqipërisë do të rritet me 3.8 për qind këtë vit falë ecurisë pozitive të investimeve, por paralajmëroi se në dy vitet e ardhshme rritja ekonomike do të bjerë.
“Dinamikat e investimeve janë të lidhura me progresin në dy projekte të mëdha energjetike të financuara nga IHD-të (Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe hidrocentrali i Devollit) dhe konsumi privat mbështetet nga krijimi i vendeve të punës dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit”, citohet raporti.
Në dy vitet në vijim, BB parashikon që rritja ekonomike të jetë më e moderuar në mesatarisht 3.6 për qind, ndërsa ritmi i rritjes së konsumit privat do të përshpejtohet.
“Zgjerimi ekonomik ka krijuar vende pune. Politika fiskale e kujdesshme, që vijoji e tillë edhe gjatë vitit zgjedhor, ka reduktuar borxhin publik”, thuhet në raportin e BB-së.
Po ashtu vlerësohet se rritja ekonomike nxiti krijimin e vendeve të punës në vitin 2016 dhe në gjysmën e parë të vitit 2017.
“Niveli i punësimit u rrit me 2.5 pikë përqindjeje (pp) në 2016 dhe 1.7 pp në gjysmën e parë të vitit 2017”, citohet në raport.
Përshpejtimi i reformave për konsolidimin e financave publike, përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve, reduktimin e rreziqeve nga sektorët e energjisë dhe financiarë dhe forcimin e sistemit ligjor, rekomandon banka Botërore, janë me rëndësi kritike për forcimin e besimit dhe rritjes ekonomike të Shqipërisë.
“Përpjekjet e qëndrueshme për konsolidimin fiskal dhe reformat strukturore duhet të reduktojnë gradualisht deficitin fiskal në 1.5 përqind të PBB-së deri në vitin 2019 dhe raportin e borxhit ndaj PBB-së në 60 përqind të PBB-së deri në vitin 2022”, rekomandon BB.
Sipas Bankës Botërore, forcimi i rritjes ekonomike varet nga stabiliteti makroekonomik dhe nga përmirësimet në klimën e biznesit për të rritur efikasitetin e gjykatave, menaxhimin e investimeve publike, aftësitë e punës dhe reformën në sektorin e energjisë.

