Banorët e lagjes “Kune” në Shëngjin lëshojnë alarmin, të izoluar prej 1 jave nga uji (Video)
Reshjet e shiut nuk kanë reshtur prej më shumë se një jave e ndërsa ende vazhdojnë të bien me intensitet të lartë shumë qytete e fshatra janë prekur nga përmbytjet. Një panoramë e trishtë teksa shikon qindra foto e video që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale janë ato që vijnë nga jugu i vendit, por sidomos nga veriu, i cili historikisht është rrënuar në periudhën e shirave, kjo edhe për mungesë kanalizimesh, mosfunksionimi siç duhet i pusetave, apo mos mbajtjes së përgjegjësive nga organet kompetente.
E ndërsa faji mbetet jetim në një vend që supozohet të ketë një zot (drejtues) një zonë mjaft e prekur nga shirat e rrëmbyeshëm është edhe ajo e Shëngjinit (lagjia Kune), për të cilën duket se nuk i bie ndërmend njeriu për ta parë nga afër. Të paktën jo, derisa të lëshohet kúja nga banorët, që mesa duket nga halli deri tani janë mësuar të shpërvjelin mëngët e ta largojnë vetë ujin me kova.
Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për këto imazhe që shikoni, sepse as kovat dhe as bidonat e stër mëdhenj nuk bëjnë punë. Siç e shikoni edhe vetë në fotot e mbërritura në redaksinë e gazetës “Koha Jonë” gjendja është alarmante dhe nga mungesa e kanalizimeve apo pusetave fëmijët e shumë familjeve nuk kanë shkuar në shkollë prej ditësh, pasi nuk arrijnë të dalin as deri tek rruga kryesore. Uji ka mbuluar vendin.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=Tt5GDI5fXv4&feature=youtu.be” width=”560″ height=”315″]
Bëhet fjalë për lagjen “Kune” në Shëngjin, banorët e së cilës prej një jave janë izoluar brenda shtëpive. Në këtë zonë është e pamundur të kalohet jo vetëm në këmbë, por as makina nuk mund të kalojë, sepse bllokohet në llumin e mykun e krijuar nga uji i ndenjur.
Sipas banorëve të kësaj lagjeje, kjo gjendje kështu ka disa ditë dhe askush nuk është interesuar për ta. Askush nga mini- bashkia në Shëngjin dhe as nga Bashkia e qytetit të Lezhës nuk ka kaluar për t’i pyetur si janë, si është situata dhe nëse frymojnë?! As edhe një. Mungesa e kanalizimeve, apo e punimeve të bëra në mënyrë jo korrekte kanë çuar në një situate të tillë. Disa rrugicave që ndajnë shtëpitë nga njëra-tjetra u janë vënë puseta, ndërsa disa të tjerave jo. Arsyeja është e pajustifikueshme, por realiteti është ky…
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit, konkretisht të Ujë-Sjellës Kanalizimeve për të çelur një kanalizim a vënë pusetat. Ata duan që të merren menjëherë masa e të zgjidhet problemi, pasi kanë ditë të bllokuar. Përndryshe do të ngrihen në protestë.


