Bekteshi: Unë drejtoja Audi-n! Makina më shpëtoi nga plumbat
Enea Bekteshi, i arrestuar para pak ditësh për ngjarjen e rëndë të Elbasanit, ku një mjet i blinduar goditi makinën e policisë, u la në ‘arrest me burg’ nga Gjykata e Elbasanit.
Përpara togave të zeza, ai tha se ishte në drejtim të makinës së blinduar dhe se nuk donte të godiste mjetin e policisë.
Bekteshi tha se makina i shpëtoi jetën, pasi policia qëlloi mbi të.
“Kam qenë shofer i makinës Audi A8. Nuk kisha për qëllim të godisja mjetin e policisë. Nuk e kuptova që ajo që godita ishte një makinë policie. Automjeti që godita nuk kishte shenjë të policisë. Nëse do e bëja, do godisja furgonin nga para.
U tremba nga të shtënat, doja vetëm të largohesha. Hyra në tregun ushqimor për të shpëtuar nga plumbat. U qëllua në drejtimin tim. Mund të isha vrarë. Pa makinën e blinduar mund të mos isha gjallë sot. Makina Audi ka 4 shenja plumbash.
Droga që u gjet ishte e imja, jam konsumator,” tha Bekteshi.
Por prokuroria thotë se shenjat e gishtave të Eneas janë gjetur tek ana e pasagjerit.
“Aksioni nisi pas një informacioni që erdhi nga një qytetar. Ai tha se po ndiqej nga një makinë Range Rover,” sqaroi prokuroria.

