BEN BLUSHI: ÇFARË ËSHTË ZOTI

Nga Ben Blushi-
Biseda ime imagjinare me një besimtar,një klerik dhe një shkencëtar
Megjithëse kam shkruar shumë për Zotin dhe për këtë shkak, më kanë kërcënuar sepse gjoja kam blasfemuar, më kanë fyer sepse kam dyshuar, më kanë mëshiruar sepse sipas tyre nuk kam aftësi ta njoh Zotin, më kanë urryer sepse sipas tyre nuk dua ta njoh Zotin, unë sërish nuk e kam gjetur dot Zotin.
E pranoj. Mund të mos jem përpjekur sa duhet. Ose mund të jem i paaftë. Me shumë gjasë janë të dyja bashkë.
Meqë unë nuk kam patur fatin që të kaloj nëpër asnjë nga rrugët e njohura dhe të panjohura të cilat thuhet se të cojnë te Zoti, kam kërkuar një rrugë tjetër.
Rrugën e pyetjeve. Jam përpjekur ta gjej Zotin duke pyetur. Veten dhe të tjerët.
Gjithmonë kam besuar se duke bërë shumë pyetje mund ti afrohesh natyrës së Zotit.
Ja disa pyetje naive pas të cilave çdo besimtar do zbulonte një mëkatar, çdo klerik do shikonte një djall dhe çdo shkencërar do gjente një amator.
Pse i ka krijuar Zoti gjarërinjtë, hardhucat, breshkat, zhabat, minjtë, buburrecët, shumëkëmbëshat, akrepët, deri te krokodilët e dinosaurët e mijëra reptilë që zvarriten në sipërfaqen e tokës prej miliona vitesh në forma, tipare dhe madhësi të ndryshme?
Pra pyetja është pse i janë dashur planetit këto specije?
Çfarë ka menduar Zoti kur i ka kjijuar ato, çfarë ndikimi kanë këto brejtës në habitatin e natyrës dhe çfarë ekuilibri rregullojnë ato?
A nuk do ishte bota më e pastër dhe më e sigurt nëse Zoti do ishte menduar një çast dhe do kishte thënë me vete: në këtë planet nuk do ketë specije që fshihen në bar dhe ngacmojnë specijet e tjera kur këto nuk e kanë mendjen.
Sa e bukur do ishte bota pa gjithë këta rrëshqanore, që lëshojnë lëngjë të neveritshme, të cilat nuk i mban dot në shtëpi, nuk i ha dot, nuk i përdor dot për transport, nuk i dhuron dot për ditëlindje dhe nuk i imition dot për të bërë dikë të qeshë.
Se që Zoti ka krijuar peshqit për të ushqyer njeriun dhe për ti mësuar atij notin kjo mund të pranohet, që Zoti po ashtu ka krijuar zogjtë për ti lehtësuar njeriut fluturimin edhe kjo është deri diku e dobishme, që po ashtu Zoti ka krijuar kuajt,gomerët,mushkat,elefantët për ta ndihmuar njeriun të zhvendoset bashkë me plaçkat e tij edhe kjo duket e arsyeshme, por çfarë mesazhi ka dashur ti japi Zoti njeriut duke krijuar miliona forma zvarranikësh kjo është shumë e vështirë për t’u kuptuar.
Pyetje të tilla në një tavolinë me katër vetë, ku njëri do isha unë, që do bëja pyetjet dhe tre do të tjerët do ishin me radhë,një besimtar, një klerik dhe një shkencëtar, me siguri unë do kisha me mijëra dhe ata të tre, ndoshta nuk do kishin më shumë se tre përgjigje.
Njëri do thoshte se gjarpërinjtë dhe të ngjashmit e tyre janë forma të rreziqeve të ndryshme që Zoti i ka krijuar për ta vënë njeriun vazhdimisht në provë. Ky do ishte Kleriku.
Zvarranikët,breshkat,hardhucat,urithët,zhabat,bretkocat, minjtë dhe gjithë këta rrëshqitës të panumërt janë vullnet i Zotit dhe nuk mund të vihen në diskutim dhe as mund të dyshohet mbi dobinë apo leverdinë biologjike të tyre jashtë vullnetit të Zotit. Zoti ka bërë të mirën dhe të keqen dhe të keqen e ka bërë që njeriu të kuptojë më mirë të mirën. Pra siç ka bërë pulën që është e mirë, ka bërë dhe gjarpërin që është i keq. Ky do ishte shpjegimi i Besimtarit.
Këto specije që janë shtuar dhe shumuar për shkak të evolucionit janë produkt i fërkimit të mjaftueshëm të disa elementëve të natyrës sic janë uji, ajri, dheu, bimët, oksigjeni,karboni etj, përzjerja e të cilëve në masën dhe momentin e duhur, ka ndikuar në krijimin e specijeve njëqelizore të cilat më pas janë kthyer në shumëqelizoret që shohim sot në cdo oborr,lulishte,arë apo plazh. Ky do ishte Shkencëtari.
Pa thënë kush më bind nga këta të tre, unë do kisha një pyetje tjetër qe do shkaktonte debat të madh, ndoshta edhe grindje dhe ndoshta me votim dy me një, ose ku i dihet, edhe tre me zero,mund të çonte në përjashtimin tim përfundimtar nga kjo tavolinë e tre burrave të respektuar.
Ja kush do ishte pyetja tjëtër.
Kush ka krijuar kë?
Pra Zoti ka krijuar Njeriun apo Njeriu ka krijuar Zotin?
Është e kotë të them se çfarë përgjigje do kishin dhënë më këtë rast seicili nga tre bashkëvuajtësit e mi.
I quaj bashkëvuajtës, sepse jam i bindur që secili prej tyre vuan kur sheh, sesa dëm ka shkuar mundi i mijëra viteve punë për ta quajtur një herë e mirë të panevojshme këtë pyetje.
Imagjinoni sa ndryshe do ishte bota sikur klerikët të mund ta kishin zhdukur nga koka e njeriut pyetjen se kush e ka krijuar njeriun.
Fakti që kjo pyetje egziston dhe qarkullon si virus nga një kokë në tjetrën pa u zhdukur një herë e mirë, është dështimi më i madh i shkencëtarëve, klerikëve, besimtarëve dhe ndoshta edhe Zotit vetë.
A e dini sa jetë ka shpëtuar zhdukja e pyetjes mbi formën e Tokës?
Dikur, deri 5 shekuj më parë, njerëzit besonin se Toka ishte katrore, pra një masë e sheshtë në fund të së cilës nëse shkon, mund të rrëzohesh si në një humnerë. Dyshimi nëse toka është apo jo katrore, jo vetëm ka vrarë me qindra njerëz që besonin në një formë tjetër, por ka dekurajuar dhjetëra aventurierë, udhëtarë, lundrues dhe eksploratorë të cilët mund të jenë bërë gati të nisen për të gjetur vise të reja, matanë horizontit, por janë kthyer nga frika se nëse bota është katrore apo me kënde, diku në fund të do jetë medoemos një humnerë, një hon, në të cilin mund të rrokullisesh pa kthim.
Por ne sot nuk e bëjmë më këtë pyetje.
Ne jemi të gjithë të bindur se Toka jonë është e rrumbullakët dhe në kët pikë unë, besimtari, kleriku dhe shkencëtari nuk kemi asnjë diskutim dhe asnjë mosmarrëveshje.
Sa e këndshme do ishte biseda mes nesh, këtër burrave që e mbajme veten për të ditur, sikur njëlloj si pyetja për formën e Tokës, të zhdukej edhe pyetja kush ka krijuar kë?
Por meqë unë nuk jetoj dot pa pyetur dhe pa dyshuar kam edhe një pyetje tjetër. Pak më të gjatë.
Kini durim.
Kush është mendimi i parë që ka në kokë një foshnje e sapo lindur?
Disa thonë se foshnja nuk ka mendime por ka vetëm instikte. Sigurisht. Bebja nuk e di çfarë është qumështi por e kërkon.Nuk di çfarë është gjumi por fle. Nuk di çfarë është ajri por merr frymë. Nuk di çfarë është ora por fle me turne. Nuk di çfarë është drita por nuk sheh natën.
Çfarë është më kryesorja, një foshnje e sapolindur nuk di kush janë prindërit e saj. Siç ka ndodhur miliona herë me jetimët apo foshnjet e birësuara, ato nuk kanë aftësinë të dallojnë se prindërit që i kanë rritur nuk janë prindërit e tyre biologjikë.
Pamundësia e njeriut për të njohur kush e ka sjellë në jetë, pra kush e ka ngjizur dhe kush e ka lindur është e njëjtë me pamundësinë e njeriut për të ditur se kush e ka krijuar.
Foshnja kur lind, nuk e njef Zotin, pra nuk di atë që besimtari dhe kleriku e marrin për të mirëqënë se Zoti eshte krijuesi i Njeriut.
Nëse Zoti do donte që ne ta njihnim dhe mos ta diskutonim kurrë egzistencën e tij mjafton ti fuste në kokë,njëlloj si një çip, çdo foshnje emrin apo përfytyrimin e tij.
Foshnjet do dilnin të gjitha nga barku i nënës duke qeshur dhe duke parë lart.
Në fakt shumica dalin duke qarë a thua se e vetmja gjë që dinë, është se bota ku kanë ardhur është shumë më e keqe se ajo nga e cila sapo kanë dalë.
Pra nëse foshnjet do lindin me çipin e Zotit në kokë,përpara se të njihnin nënën,biberonin, jastëkun apo lugën, secili prej nesh do njihte atë që e ka krijuar.
Vetë Zotin.The One and Only.
Imagjinoj në këtë çast besimtarin që do ishte ngritur në këmbë, duke më kërcënuar,ndërkohë që kleriku po e qetëson duke i thënë duro, se pas pak do ta kapim mat,ndërsa shkencëtari do ishte duke qeshur me ne të tre.
Sidoqoftë vazhdojmë me pyetje.
Si ka mundësi që njeriu e njeh Zotin shumë më vonë se të gjitha ushqimet apo sendet që ia lehtësojnë jetesën dhe mbijetesën ditët e para të lindjes dhe këto janë gjiri i nënës,qumështi i tij,biberoni që zëvëndëson gjirin,krevati apo djepi ku rri deri sa të fillojë të eci,moblijet e shtëpisë përfshi dollapë,soba,enë guxhine,makina,avionë etj?
Nuk është ironike dhe aq më pak cinike të them se nga të gjitha lodrat përfshi kuaj plastikë, balena blu, zile kaucuku, qen me pulla, apo ipad, iphone, televizorë etj, fëmijët e njohin Zotin të fundit fare.
Pra nëse Zoti është një lodër, ajo vjen pas shumë lodrave të tjera që garantojnë më shumë argëtim dhe pushojnë të qarët.
Kur i thua një foshnje pusho se të dëgjon Zoti, ajo vazhdon qan,po t’i japësh një biberon me shumë gjasë pushon.
Çfarë do të thotë kjo nisur nga qasja e një dyshuesi që bën vetëm pyetje siç jam unë?
Kjo do të thotë se, nëse një foshnje mbahet në kushte laboratorike dhe nuk i flitet kurrë për Zotin dhe nuk i lejohet asnjë kontakt me botën që beson, derisa të rritet ai nuk do ketë asnjë ditë dilemën kush më krijoi, a ka dicka atje lart, kush e krijoi shiun,qiellin, diellin dhe hënën?
Të gjitha këto përgjigje do t’i marrë nga librat dhe përgjigjet do ti konsiderojë shterruese.
Ky fëmijë do jetë përgjithësisht i lumtur duke qenë i cliruar nga shumë dyshime.
Ai do rritet i pastër nga dogma.
Por ditën që do jetë në gjendje të mendojë dhe të ketë pyetje, do kuptojë atë që mund ta kuptojë seicili prej nesh duke dyshuar.
Se njëlloj si ipadin, televizorin, filmat, futbollin, makinat, avionin, filmat dhe cdo mall tjetër konsumi përfshi edhe Zotin,e kanë kirjuar prindërit e tij. Ose prindërit e prindërve të prindërve.
Dmth njerëzit para nesh për arsye dhe nevojat e tyre kanë krijuar gjithshka, përfshi edhe Zotin.
Sepse përdersa një fëmijë i izoluar, nuk e ndjen nevojën për atë që presupozohet se e ka krijuar atëherë ai që e ka krijuar, ose nuk është krijuesi ose ky krijues nuk preferon të shfaqet, ose të japë një shenjë, fjali e cila do ta qetësonte besimtarin në tavolinën time dhe do ti jepte kurajo klerikut qe po bëhej gati të më kundërshtojë.
Pikërisht, do thoshte kleriku.
Fakti që Zoti nuk i shfaqet një foshnje në mendimet e tij të para ose gjatë procesit të rritjes,nuk do të thotë që Zoti nuk egziston por do të thotë se thjesht ai nuk do t’i shfaqet cdo njeriu sepse kjo do ta banalizonte deri në asgjësim figurën mistike të Zotit.
Zoti nuk është një send,nuk është një mall dhe nuk konsumohet për ditë, për arsye banale si luga,telekomanda,celulari apo timoni i makinës.
Duroni, do thosha unë, më lini ta mbaroj.
Je zgjatur shumë, do thoshte shkencëtari.
Kush na e mëson Zotin përvec prindërve dhe shoqërisë?
Pasi kam pranuar se duke ecur në rrugën time apo duke u përpjekur të ndjek me përfytyrim rrugën e atyre që besojnë se e kanë gjetur Zotin, kam kuptuar se Zoti jo vetëm është një krijesë e thjeshtë e Njeriut,por si shumë produkte të tij ai është kthyer në industri.
Do përpiqem ta shpjegoj.
Shumica e sendeve që ne përdorim për të lehtësuar raportin tonë me punën, me lëvizjen, me shpejtësinë,me oreksin dhe me kënaqësinë, janë shpikur nga dikush dhe më pas janë kthyer në industri nga shumëkush, për tu përdorur më pas nga gjithkush.
Kështu ka ndodhur me lugën. Dikush e ka shpikur përpara mijëra vitesh për të cuar ushqimin në gojë dhe tani në planetin tonë prodhohen miliarda lugë në ditë dhe ata që e bëjnë këtë në fabrikat e tyre janë industrialistë.
E njëjta gjë mund të thuhet për pjatat, thikat, filaxhanet, karriget, pastën e dhëbmëve, gjyslyket, telefonat, orët, kompjuterat, cantat, librat, lapsat, lavatricet, frigorifërt, ilacet, filmat dhe kjo liste është e pafund.
Këto janë mallrat.
Dikush i prodhon dhe ne i blejmë se na duhen për të jetuar më mirë. Gjithë ky cikël nga prodhimi i tyre deri tek blerja dhe pastaj hedhja në treg, është biznes. Eshtë një shkëmbim tregtar.
Këto mallra janë krijuar nga nevoja për të ngrënë,për tu ulur,për të parë,për të dëgjuar, për të lëvizur, për të lundruar, për të fluturuar,për tu argëtuar.
Zoti është krijuar për të mundur frikën, në kushtet kur shumica e këtyre mallrave nuk ishin shpikur akoma dhe jeta e njeriut ishte e mbushur me kaq shumë pasiguri dhe tmerr.
Imagjinoni ata që e shpikën Zotin mijëra vite më parë dhe kjo datë nuk ka asgjë të përbashkët me lindjen e Krishtit apo Muhamedit, sepse ata kanë lindur atëherë kur njeriu kishte krijuar koncepte të qarta për Zotin, që këta të dy bashkë me shumë të tjerë si ata, i kanë thjeshtësuar duke i përmbledhur dhe i kthyer në zakone që nëse nuk ndiqen dhe respektohen, mund të ndëshkohen.
Pra shumë kohë më parë, njerëz që jetonin pa ushqim, sepse nuk kishin mjete për të vrarë kafshë të egra apo për të mbjellë grurë, kishin frikë të lundronin sepse nuk ishte shpikur varka dhe ndoshta nuk dinin not,tmerroheshin kur shikonin rrufe dhe vetëtima sepse nuk i shpjegonin dot,kompleksoheshin kur shikonin si vrapon nje tigër, si e shpon natën syri i një maceje,si zhduket nën tokë një gjarpër dhe si fluturon një shqiponjë, këta njerëz pra, duke vuajtur deri në sakrificë pafuqinë e tyre, në raport me cdo krijesë tjetër që ishte dhe mbetet më e fortë dhe më e shpejtë se ata,kishin arsye të besonin se këto qenie superiore i ka krijuar dikush, që njeriun e ka sjellë në jetë për ta ndëshkuar, pasi i ka dhënë më pak fuqi se të gjitha llojet e tjera të kafshëve gjtarëvë, zogjve, peshqve dhe bimëve.
Nëse Zoti është krijesë direkte e Njeriut,në një kuptim tjetër ai është krijesë indirekte e kafshëve,shpendëve dhe peshqve.Këta e detyruan njeriun të krijojë Zotin. Ata e mësuan të ketë imagjnatë, guxim dhe të ndryshojë duke imituar. Kafshët në përgjithësi janë mësuesit e parë të Njeriut dhe prej tyre ai ka marrë shumicën e dijeve që sot i ka kthyer në armë kundër tyre.
Duke patur frikë nga natyra, Njeriu krijoi një qenije më të fortë se të gjitha qeniet bashkë. Zotin.
Kjo krijesë, pra Zoti, nuk i dha njeriut asnjë fuqi tjetër që i duhej, as muskuj,as zgjatim gjytyrësh,as nuhatje më të mirë dhe as sy më të fortë, por i dha durim për të pritur që mendja e tij të zhvillohej deri në masën që, duke imituar kafshët e tjera të mund të lëvizte me kuaj,karroca e makina,të mund të lundronte me varka,me anije e nëndetëse dhe të mund të fluturonte me aviona e me anije kozmike.
Në një kuptim Zoti e ka ndihmuar Njeriun po aq sa c’e ka penguar atë.
Unë nuk e pranoj në parim, por ndoshta, për shkak të nevojës për të mbyllur bisedën mund të pranoj se Zoti është shpikja e të gjitha shpikjeve, por ama nuk pranoj dot se nga të gjitha shpikjet ajo është më e mira,ose që të korrigjoj veten,nuk pranoj dot se kjo shpikje,pra Zoti, është përdorur gjithnjë për mirë nga ai që e shpiku. Nga Njeriu.
Sidoqoftë edhe pak durim.
Besimtari po fërkon sytë, kleriku po skuqet dhe shkencëtari po humb fillin e bisedës.
Që në momentin që u krijua lindi nevoja për ta shpërndarë Zotin. Ai nuk mund të ishte pronë e një njeriu,dmth e atij që e shpiku,sepse në këtë mënyrë do ishte i pafuqishem dhe aksush nuk do ti bindej atij.
Ky është momenti kur Zoti filloi të kthehej në industri.
Kjo industri kërkonte një rrjet njerëzish që të mund ta përhapnin nëpër botë,të mund të edukonin njerëzit e tjerë se si përdoret,këta do garantonin cilësinë e tij gjatë përdorimit përmes ndëshkimit për ata që e përdornin keq ose nuk e përdornin fare.
Këta njerëz që morën përsipër të punonin në industrinë e Zotit janë klerikët.
Ne i quajmë priftërinj, fretër, famullitarë, murgj, murgesha, peshkopë, shenjtorë, profetë, papë, imamë, hoxhallarë, ajatollah, brahmanër,lama, serafinë, ëngjëj, etj.
Më të aftët dhe më inteligjentët, ata të cilët e kthyen Zotin në industri, por pa nxjerrë thuajse asnjë përfitim vetë, janë pa dyshim Jezui dhe Muhamedi. Ata i bindën njerëzit se duke besuar mund të kesh përfitime dhe në emër të tyre u persekutuan shumë të tjerë, të cilët nuk besonin si ata dhe tek ata.Në këtë mënyrë, me hir apo me pahir,malli i tyre, Zoti,u përhap në të gjithë cepat e botës dhe sot vazhdon të konkurrojë me sukses duke shtuar tregun dhe duke hapur dyqane,kisha e xhamija kudo ku mundet.
Pas Jezuit dhe Muhamedit,Zoti filloi të tregtohet dhe të kthehet në punë.
Dishepujt e parë të Jezu Krishtit, nuk paguheshin,ata e përhapën besimin në Zot falas,gratis dhe disave kjo gjë u kushtoi jetën. Shën Pjetri që themeloi Vatikanin apo qytetin e Zotit, nuk mori asnjë shpërblim por me qindra papë e priftërinj pas tij, ishin të gjithë të kamur dhe shumica, në Mesjetë ishin biznesmenë të mëdhenj,pronarë tokash e pasurish të panumërta, aq sa të detyruar nga korrupsioni i tyre, Kisha Katolike, vendosi sanksione shumë të rrepta kundër asaj që quhet simoni, ose korrupsioni i klerikëve.
Simoni quhet shitja e ofiqeve fetare ose e sendeve të shenjta.Simonia pra ishte korrupsion dhe korrupsion ka vetëm aty ku ka para dhe shkëmbim mallrash. Cfarë malli tregtonin priftërintë në Mesjetë e akoma dhe sot?
Natyrisht Zotin.
Sot në botë janë 400 mijë prifërinj katolikë,më shumë se 200 mijë ortodoksë nja dy milion hoxhallarë dhe disa milionë klerikë budistë e hindu pa llogaritur me mijërë sekte dhe besime më të vogla, që të gjitha bashkë kërkojnë zanatcinjtë apo instruktorët e vet.
Nëse jemi dakort se Zoti u shpik nga njerëzit, nëse jemi dakort se Zoti mësohet,sic ishte rasti i foshnjeve,mund të biem po ashtu dakort se ata që u mësojnë njerëzve cfarë është Zoti paguhen, sepse ata bëjnë një punë.
Pra nëse biem dakort për të gjitha këto,ose pjesërisht për disa prej këtyre pikave, atëherë duhet të jemi dakort se Zoti, nëse nuk është një krijesë industriale, të paktën është kthyer në një industri.
Këto ishin fjalët e mia të fundit në tavolinën e katër burrave.
Kur e mbarova këtë përsiatje të zgjatur, kleriku që kisha përballë u cua në këmbë i gatshëm të më fusë duart në fyt, sic në fakt e meritoja, por për fat të mirë besimtari ia mbajti dorën duke i thënë, qetësohu, cdo gjë do rregullohet, me ndihmën e Zotit, ndrësa shkencëtari që qeshte me ne të tre, tha vetëm një fjali me të cilin mbyllet kjo rrëfenjë për Zotin.
O Zot!

SHKARKO APP