Berisha: Akt i rëndë kombëtar ndaj lirisë së medias, Rama po lufton portalet
Ish-kryeministri Sali Berisha, e ka cilësuar si një atentat kombëtar ndaj lirisë së mediias, shkarkimin e Tedi Blushit nga pozicioni i kryeredaktorit të portalit BalkanWeb.
Me anë të një reagimi në Facebook, ish-kreu i qeverisë thekson se shkarkimi i Blushit ka ardhur me urdhër të Edi Ramës.
Ja postimi i ish-kryeministrit Berisha:
Edvin Kristaq Rama në betejën e tij kundër portaleve, shkarkon gazetarin e mirënjohur, Tedi Blushi!
Të dashur miq, shkarkimin me mungesë të plotë transparence, i gazetarit të njohur Tedi Blushi, pavarësisht nga pozicionet e ndryshme politike që ndajmë, e konsideroj një atentat të rëndë kombëtar ndaj lirisë e mediave në Shqipëri nga Edvin Kristaq Rama. Tedi Blushi drejtonte Ballkanweb, njërin nga portalet më kryesorë, më të lexuar të mediave shqiptare, që për vite ka dominuar lajmin në Shqipëri.
Ai u shkarkua duke mos i paraqitur asnjë arsye apo shkak ligjor atij as dhe publikut, sipas mediave me ndërhyrjen direkte të Edvin Kristaq Ramës, i cili ka një urrejtje patologjike ndaj portaleve pasi në dallim nga mediat e tjera nuk ka arritur ta vendosi dot në kontroll.
Shtoj këtu, sa alergji ndaj portaleve ka shprehu edhe vet zonja Rama pasi sipas saj ato të pashpirta e lënë pa gjumë të dashurin e zemrës së saj. Natyrisht, në këtë ndërhyrje brutale të Edvinit dhe shkarkimin e drejtorit të BallkanWeb, një rol të veçante ka luajtur dhe mbiemri i tij, me të cilin ai është në armiqësi primitive.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt, si një ngjarje ogurzeze për lirinë e shtypit në Shqipëri, i bëj thirrje bordit të kompanisë të rishqyrtojë vendimin e saj që e dëmton atë dhe reputacionin e saj palcërisht.
I bëj thirrje të gjitha ekipeve të portaleve, të cilat janë sot avanguarda e transparencës dhe anticensurës, të dënojnë këtë akt stalinist të Edi Ramës dhe ti shpallin atij luftë totale për të frenuar ofensivën e tij të çmendur kundra lirisë së shtypit në Shqipëri.
Iu bëj thirrje të gjithë gazetarëve, publicistëve të vendit të shndërrojnë shkarkimin e gazetarit të mirënjohur Tedi Blushi, në një çështje të vërtet mediatike kombëtare dhe ndërkombëtare!

