Berisha dhe Meta çelin fushatën në stadiumin “Air Albania”. Prezantohen 61 kandidatët
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” çelën sot fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 majit me një miting në stadiumin kombëtar “Air Albania” në orën 13.00.
Në stadium i pari ka arritur Ilir Meta që përshendetet nga pjesmarrësit.
Me pas arriti edhe Sali Berisha.
“Ndryshimi fillon nga duart e tua”, është edhe slogani i publikuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Ndërkohë në nisje të ceremonisë për hapjen e fushatës së Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në stadiumin Air Albania janë prezantuar me radhë 61 kandidatët për kryetarë bashkie.
I fundit që hyri në stadium ishte kandidati për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi.
Ai kishte zgjedhur një mënyrë mjaft origjinale për t’u bërë pjesë e eventit të madh, duke hyrë në stadium me autobus.
Në çelje të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit, koalicioni Meta-Berisha ka prezantuar një dokumentar.
Sali Berisha kishte rizgjuar edhe kujtimet me amerikanët, teka shfaqte në video momentin e takimit me Hilary Clinton si dhe presidenti George Bush.
“Këto ishin ditët më të mira për shqiptarët kudo që jetonin! PD ishte një shkallë që po e ngjiste Shqipërinë lart në aspiratat e Europiane. PS nuk ka arritur kurrë fitore që t’u përafrohen demokratëve”,- thuhej në dokumentar.
I pari që hapi zyrtarisht fushatën ishte kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, duke vijuar me të tjerë kandidatë të rretheve. Mes 17-20 folësve, është dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe në fund do të jetë si gjithmonë dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
“Bashkë do të punojmë duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes në respekt të çdo shqiptari që ka zgjedhur të jetojë në Tiranë. Ne jemi kryeqyteti, unë nuk do të lejoj më në Tiranë të ketë diferencime. Kudo të banoni, ju do të jeni të barabartë në shërbime dhe investime. Bashki do të thotë bashkësi dhe ne bashkë do të zgjidhim problemet që ka sot Tirana”, tha Këlliçi.
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta në zgjedhjet vendore të 14 majit për Elbasanin, Luçiano Boçi u shpreh se qytetarët janë zemëruar dhe kërkojnë ndryshimin.
“Faleminderit që jeni në këtë hapje madhështore që flet qartë për fitoren tonë. Të marrim në duar fatet tona dhe të nisim betejën tonë të jetës. Beteja që kemi para nuk është si betaejat e dikurshme. Beteja jonë është një betejë thelbësore vlerash. Beteja jonë nuk ka kurrfarë egoje personale, pasi ajo është një betejë e pastër për qytetarët. Ju ftoj të luftojmë më pasion betejën tonë. Ajo që më ka sjellë para Elbasanit është kërkesa e tyre për ndryshim! Besimi nuk ka qenë kurrë kaq i lëkundër dhe i brishtë. Elbasanasit janë të zemrëuar nga ajo që nuk përmirësohet kurrë në jetën e përditshme“,- tha Boçi.
Igli Cara kandidat për bashkinë e Durrësit, i koalicionit Berisha-Meta thekson se më 14 maj do jetë dita e ndryshimit të madh dhe rikthimin e Durrësit në polin më të rëndësishëm në vend.
“Durrësi në duart tuaja nënkupton më shumë gjelbërim më pak zhurmë e trafik. Ndryshim duhet bërë dhe të përmbyllet procesi i rindërtimit brenda vitit 2024. Ndryshimi i madh do të nisë nga Durrësi. Së bashku do të bëjmë gjithçka për ndryshimin dhe rikthimin e Durrësit në polin më të rëndësishëm në vend. 14 maji është dita që na ndan nga Rama-Dako-Sako. 14 maji është dita që na bashkon me çdo sipërmarrës të drejtë në Durrës. Do të bëjmë gjithçka që të mbështesim sektorin e turizmit në Durrës”,- tha Cara.
Në hapjen e fushatës elektorale të kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Shkodrën Bardh Spahia ka ftuar socialistët që ta votojnë.
“Ta refuzojmë joshjen dhe shantazhin, duke qëndruar të fortë dhe me kokën lart do ia dalim të fitojmë më 14 maj. Ne nuk e humbën besim në Shkodër dhe fituam, zgjodhëm bashkimin mbi përçarjen. Janë 30 ditë dhe nga sot puna jonë është vetëm me njerëzit dhe për njerëzit. Ne jemi alternativë më e mirë për Shqipërinë, punojmë me dashurinë për familjen e vendin. Nuk i ndajmë njerëzit me ngjyra partiake, të kuq, mavi e blu. Ftojmë socialistët të bashkohen me ne në 14 maj, ka zhgënjim mes tyre, janë braktisur nga partia e tyre. Socialistë të zhgënjyer votoni kudo kandidatët e opozitës së vërtetë. Bashkë do të fitojmë, do i hapim rrugës çlirimit të Shqipërisë nga qeveria më e korruptuar. 14 Maji është misioni më i vështirë, por do e kthejmë në misionin tonë”, tha Spahia.