Berisha-njeriu që e bashkon PD, por nuk e sjell dot në pushtet!

Partia Demokratike ndodhet sot në paradoksin më të madh politik që nga themelimi i saj në vitin 1990. Nga njëra anë, Sali Berisha mbetet figura e vetme që arrin të mbajë të bashkuar shumicën e demokratëve. Nga ana tjetër, po ai shihet nga shumë analistë dhe një pjesë e elektoratit si pengesa kryesore që PD të rikthehet në pushtet.

Kjo është drama reale e opozitës shqiptare.

Pas më shumë se tri dekadash dominim politik në të djathtën shqiptare, Berisha vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm emocional mbi bazën e Partisë Demokratike. Ai është lideri historik, njeriu që për shumë demokratë simbolizon rrëzimin e komunizmit, pluralizmin politik dhe betejat më të forta kundër socialistëve. Pikërisht për këtë arsye, çdo tentativë për ta larguar nga drejtimi i partisë ka prodhuar përçarje të forta.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ngjarjet pas vitit 2021 e treguan qartë këtë realitet. Konflikti mes Berishës dhe Lulzim Bashës nuk solli rinovim të PD-së, por krijoi dy parti pothuajse paralele, dy struktura, dy grupime deputetësh dhe një opozitë të copëzuar. Vetëm rikthimi i Berishës në krye arriti të ribashkonte pjesën më të madhe të bazës demokrate.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo do të thotë se sot PD nuk funksionon më si një parti e mbështetur mbi institucione të forta politike, por mbi autoritetin personal të liderit historik. Dhe pikërisht këtu nis problemi i madh.

Sepse Berisha është njeriu që bashkon PD-në, por nuk duket se arrin ta zgjerojë atë përtej bazës tradicionale. Në zgjedhjet e fundit, opozita arriti të ruajë një elektorat të fortë militant, por jo të bindë shumicën gri të shqiptarëve. Një pjesë e madhe e votuesve të pavendosur, të rinjtë apo qytetarët që kërkojnë ndryshim, por jo rikthim në konfliktet e së kaluarës, vazhdojnë të mos e shohin Berishën si alternativë të së ardhmes.

Kjo është arsyeja pse shumë demokratë sot ndodhen përballë një dileme të dhimbshme politike.

Nëse Berisha largohet, ekziston frika reale se Partia Demokratike mund të shpërthejë në disa pjesë. Brenda saj ka grupime me interesa, ambicie dhe qasje të ndryshme. Ka demokratë tradicionalë që nuk pranojnë asnjë lider tjetër përveç Berishës. Ka pragmatistë që kërkojnë hapje dhe aleanca të reja. Ka figura që presin momentin për të ndërtuar polin e tyre politik.

Nëse, fjala vjen, ikën Berisha, në PD plas lufta. Gaz Bardhi me grupin e tij synojnë të marrin kontrollin e PD, kurse Flamur Noka me të tijtë do mbyllin derën me hekura.

Në mungesë të një pasardhësi me autoritet të plotë, largimi i menjëhershëm i Berishës mund të prodhojë një luftë të brendshme për kontrollin e partisë. Dhe historia e partive shqiptare ka treguar se përçarjet zakonisht sjellin dobësim afatgjatë.

Vetëm Berisha e di se si rrijnë me “thika” pas shpine edhe ata që i ka afër!

Por nëse Berisha qëndron, PD rrezikon të mbetet në opozitë të gjatë, sepse nuk e voton elektorati gri, që mbetet jetik për të rrëzuar kryeministrin Rama.

Kjo sepse politika shqiptare ka hyrë në një fazë tjetër. Elektorati nuk mjaftohet më vetëm me figurën e liderit historik. Ai kërkon besueshmëri qeverisëse, ekip, frymë të re dhe aftësi për të fituar qendrën politike. Pikërisht aty ku zgjedhjet fitohen ose humben.

Sot, shumë qytetarë mund të jenë të pakënaqur me qeverinë e Edi Rama, por kjo nuk do të thotë automatikisht se ata janë gati të rikthejnë Berishën në pushtet. Dhe ky është problemi më i madh strategjik i PD-së.

Në thelb, Partia Demokratike duket e bllokuar mes dy frikërave: frikës së humbjes së unitetit pa Berishën dhe frikës së pamundësisë për të fituar me Berishën.

Kjo e ka kthyer PD-në në një parti që mbijeton falë liderit të saj historik, por që ende nuk ka gjetur formulën për tranzicionin drejt një brezi të ri politik.

Dhe ndoshta pyetja më e madhe sot për demokratët nuk është nëse Berisha duhet të largohet apo të qëndrojë. Pyetja reale është: a ekziston brenda PD-së një figurë që mund ta mbajë partinë të bashkuar dhe njëkohësisht ta bëjë fituese?

Deri tani, përgjigjja duket se është jo. Dhe pikërisht kjo e mban ende Berishën në qendër të Partisë Demokratike, edhe pse shumë e kuptojnë se vetëm me të opozita e ka të vështirë të rikthehet në pushtet.

Edhe Berisha e di. Ai ka kaluar fortuna në këto 35 vite dhe ia ka dalë, ndonëse këtë herë e ka vështirë me Edi Ramën. Liderit historik të demokratëve me shumë i intereson ta mbajë PD të unifikuar se sa të synojë rikthimin në pushtet.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi sot: Edi Rama apo Sali Berisha?