BERZH: 48% e shqiptarëve optimistë për jetën që bëjnë
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar raportin e fundit me titull “Jeta në Tranzicion”.
Ky është i treti edicion i këtij raporti, pas atij të vitit 2006 dhe atij të vitit 2010. Për më tepër, ky raport, që vjen në formën e një ankete, është më i madhi në llojin e tij dhe më gjithpërfshirësi.
Në ekzaminim janë marrë 34 vende, përfshirë Shqipërinë, dhe të dhënat që dalin janë mjaft interesante. 51 mijë të anketuar në këto 34 shtete janë pyetur në lidhje me nivelin e tyre të jetesës, sa të kënaqur janë me jetën e tyre, nivelin e korrupsionit, etj. Sipas këtij raportimi 48% e shqiptarëve janë të kënaqur me jetën e tyre, dhe ky nivel ka shënuar një pëmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitin 2010 dhe thuajse pranë nivelit të vitit 2006.
Në krahasim me vitin 2010, ky nivel është përmirësuar me 9 pikë përqindje. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit ndërkohë, shqiptarët duket se janë ata më të kënaqurit me jetën e tyre, madje bindshëm mbi mesataren e vendeve që konsiderohen si në tranzicion dhe vendeve post-komuniste.
Faktin se shqiptarët janë optimistë e tregon dhe një e dhënë tjetër; 77% e të anketuarve shprehen se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë se brezi aktual.

