Beteja e Majlindës me tumorin në gji: Për t’ia dalë duhet forcë, jo mëshirë
Majlinda, nuk ka aspak frikë të flas për sëmundjen e keqe që iu shfaq befas para 4 vitesh në gji.
Ajo është plot forcë për të jetuar edhe pas disa ndërhyrjeve të vështira shëndetësore që ka kryer deri në heqjen e të dy gjinjve. 45-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, prej vitesh kryente kontrollet e rregullta të pap-testit dhe mamografisë.
Ishte pikërisht vizita e radhës, në të cilën mjekët zbuluan se në njërin gji të saj ishte shfaqur tumori. Një dhimbje e dyfishtë për Majlindën, pasi në të njëjtën kohë nga e njëjta sëmundje ishte duke vujtuar edhe nëna e saj.
Për Majlindën, tumori është një sëmundje që nuk do mëshirë për t’u kapërcyer. Ndaj lutja e saj sot është për kontrolle dhe dashuri nga të afërmit.
Nëse 500 femra të tjera do të ishin ekzaminuar në kohë, sot do të flisnim për më pak gra të prekura nga kalvari i mundimeve për trajtimin e tumoreve të gjirit, që si kudo në botë edhë në vendin tonë rastet kanë ardhur në rritje për çdo vit.
Nga një sëmundje thuajse e panjohur për vendin tonë në vitet ‘90, pas vitit 2000 numri i femrave të prekura nga tumoret e gjirit është dyfishuar, duke arritur në 500-600 raste të reja në vit, një shifër jo e saktë, pasi shumë paciente zgjedhin të trajtohen në spitalet private ose jashtë vendit.
Mungesa e kontrolleve e në disa raste pamundësia e kryerjes së tyre ka bërë që mjaft femra të prekura nga tumoret e gjirit të mos kenë dijeni për sëmundjen.
Nga 5000 femra të ekzaminuara vetëm nëpërmjet mamografisë së lëvizshme në të gjithë vendin vitin e kaluar, 10% e tyre janë diagnostikuar me tumore në gji, fakt të cilin e kanë mësuar gjatë ekzaminimit.
Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku shtohet me rritjen e moshës.
Grupmoshat më të rrezikuara për t’u prekur nga tumoret e gjirit janë ato mbi 50 vjeç, por mjekët thonë se kjo sëmundje nuk njeh moshë, ndaj kontrollet e vazhdueshme janë të nevojshme për ta kapur sa më herët.
Por cilët janë faktorët e riskut dhe kur duhet të bëhet mamografia?
Ishte viti 2009, kur në Shqipëri u zhvillua fushata e parë sensibilizuese për kancerin e gjirit, për një sëmundje të kurueshme, por që për shkak të mungesës së informimit, pacientët dhe familjarët e tyre e mbanin të fshehtë, duke jetuar çdo ditë me frikën se “vdekja” ishte shumë pranë.
Donika Godaj, organizatorja e kësaj fushate, tregon si nisi kjo lëvizje me një mjek të ardhur nga Amerika.
Por sot historia shihet ndryshe. Me qindra femra që i kanë rënë pas sëmundjes në kohë, kanë shpëtuar prej tumorit.
Përtej sensibilizimit, në Shqipëri ka ende femra që nuk e njohin ekzaminimin me mamografi apo që kanë frikë t’i nënshtrohen.
Shumë të tjera shkojnë te mjekur kur sëmundja ka përparuar. Mungesa e informacioneve është më e theksuar në zonat e thella rurale të vendit.
Ndërsa nisma për sensibilizim duket se është futur në rrugën e duhur dhe vihet re një ndërgjegjësim i popullatës për kontrollet e gjirit, për specialistët tashmë ka ardhur koha që të kalohet te trajtimi i duhur multidisiplinar, ku nuk duhet të neglizhohet më aspekti social dhe psikologjik, pasi problemi nuk është më vetëm mjekësor.
Një shërbim që në Shqipëri është ende larg standardeve të vendeve fqinje dhe europiane.
Fushata sensibilizuese e këtij tetori për luftën ndaj kancerit të gjirit i drejtohet burrave, për të ofruar gjithë mbështetjen e tyre ndaj femrave të prekura nga kanceri, një sëmundje që me vështirësitë e saj kaplon gjithë familjen.
Ky është apeli i Myqerem Alimerkaj nga qyteti i Ballshit, mesazhi i një babai për të bijën, e cila prej 10 vitesh lufton me sëmundjen e keqe në gji, një betejë që të dy së bashku po e çojnë drejt fitores.
Një fjongo rozë shpëton një jetë, shpëton një vajzë të re, një grua, një nënë, një gjyshe.
Një muaj nuk mjafton për sensibilizim, por një histori është mësimi më i mirë për të gjitha femrat, që të paktën një herë në vit t’i drejtohen mjekut për të parë shëndetin e tyre.
/Oranews

