Bici: Në dy vjet janë prishur 9100 ndërtime pa leje
Drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici deklaron se në dy vite janë prishur gjithsej 9100 ndërtime pa leje.
Duke e krahasuar me periudhën e para 2013-s, Bici tha se është bërë një punë e madhe, por që ka ende për të bërë.
“E rëndësishme është që situatën e kemi nën kontroll dhe ka një frenim shumë të madh të atyre që ndërtonin pa leje. Gjatë dy vjetëve që jam në krye të këtij inspektoriati janë prishur mbi 9100 ndërtime pa leje. Ndërkohë që po ta krahasojmë përpara 2013 kemi gjetur shifrën e vetme, ka qenë një objekt i vetëm dhe nuk e di kush ka qenë arsyeja për ta prishur”, tha ajo për Ora News.
Bici tha se së shpejti do të nisë aksioni për prishjen e ndërtimeve në Himarë, aty ku ka pati edhe një debat të ashpër politik, ku u përfshi edhe Greqia.
“Në fakt unë jam në krye të një institucioni tekenik dhe jo politik, por nuk më vjen mirë që situata u politizua. Unë Himarën e shoh si të gjitha qytetet e tjera. Shpresoj që të zvogëlohet ky mllef që ti lihet mundësi ekspertëve më shumë sesa politikës. Sapo të përfundojmë procedurat ligjore ne do të nisim aksionin në Himarë”, theksoi Bici.

