Bilanci i drogës në Greqi – Nga fillimi i vitit janë sekuestruar rreth 7 tonë kanabis
Aktualitet Bota E Martë, 4 Maj 2021 18:03
Në Greqi janë sekuestruar gjatë këtij viti gati 7 tonë kanabis. Shifra e saktë është 6,7 ton, i përket periudhës nga janari deri në tetor dhe është bërë publike nga policia greke për të treguar rezultatet tepër të suksesshme siç cilësohen, në luftën kundër trafikut të drogës.
Sipas policisë, një sasi jashtëzakonisht e madhe e kësaj droge, kishte hyrë në Greqi nga Shqipëria.
Një njoftim i policisë greke i referohet “goditjeve të fuqishme kundër rrjeteve të organizuara të krimit që veprojnë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.
Në kuadër të kësaj goditjeje, që nga fillimi i i vitit 2016, janë kryer 8.652 operacione, ku janë arrestuar 11.220 persona, shumë prej të cilëve shtetas shqiptarë, të akuzuar si trafikantë apo shpërndarës droge.
Krahas kanabisit, janë sekuestruar edhe 178,7 kg heroinë, 101 kg kokainë, si dhe janë shkulur e asgjësuar në të gjithë vendin 45.630 fidanë kanabisi.
Muaji më i frytshëm duket se ka qenë tetori. Vetëm në tetor 2016, janë sekuestruar 3,2 tonë kanabis, 40 kg heroinë dhe 19 kg kokainë, vë në dukje njoftimi i policisë greke.
Gjatë muajit të kaluar, u zhvilluan tre prej operacioneve më të rëndësishme, kundër tre organizatave të fuqishme të trafikut të drogës, në përbërje të të cilave kishte mjaft shtetas shqiptarë. Vetëm në një prej këtyre operacxioneve u sekuestruan 1,6 tonë kanabis, që po ambalazhoheshin për t’u transportuar në Europën perëndimore.
Në njoftimin e saj policia greke bën gjithashtu të ditur se drogat e sekuestruara asgjesohen në mënyrë sistematike. Policia madje ka publikuar edhe një video nga ky proces. Ditët e fundit u asgjësuan me mënyrën e djegies 968 kg marihuanë, 58 kg heroinë, 46 kg kokainë dhe 1.000 fidanë kanabisi./ABC News
KOHA JONË SONDAZH