Blendi Fevziu: Kush i dëmtoi mbishkrimet e Gjirit të Gramës?
Nga Blendi Fevziu
Kush i dëmtoi mbishkrimet e Gjirit të Gramës?
Një video që më dërguan dje dëshmon se mbishkrimet historike të Gjirit të Gramës janë dëmtuar më qëllim. Tentativa për të mësuar se kur ka ndodhur kjo ishte e pasuksesshme. Me gjasë mund t’i takojë një kohe kur aty nuk ka vizitorë dhe as shërbime, por kurdo që të ketë ndodhur, është një krim mbi trashëgiminë dhe historinë tonë. Thuajse 1500 mbishkrimet e Gramës janë 2400-vjeçare. Ato deshmojnë pozicionin e rëndësishëm gjeografik dhe historik të Shqipërisë; dëshmojnë praninë e personave të rëndësishëm botërorë në këtë zonë dhe janë po ashtu një atraksion i rëndësishëm historik. Por monumenti që mbijetoi 24 shekuj, duket se nuk po i shpëton dot dorës vandale të kushedi kujt të papërgjegjshmi. Autoritetet duhet të gjejnë mënyrën për të ruajtur një monument të tillë, i cili për hir te së vërtetës është shumë i ekspozuar dhe i vështirë për t’u vëzhguar. Ai dëmtim nuk është thjeshtë ndaj një monumenti, ai është një demtim për secilin nga ne. Do na vijë turp nga fëmijët që diçka që u ruajt 24 shekuj ne s’po e ruajmë dot 24 vjet.