Bllokohen 41 mln euro pasuri, në biznese dhe komplekse
41 milionë euro është vlera e pasurive të sekuestruara nga shtatori gjatë operacionit “Vjeshtë 2017”.
Toka, apartamente, biznese dhe makina luksoze janë sekuestruar nga Policia e Shtetit brenda dy muajve. Në të gjithë vendin Policia ka sekuestruar 32 mijë m2 tokë, e cila dyshohet se është blerë me para që kanë ardhur nga aktiviteti kriminal.
8 apartamente janë sekuestruar më vendim gjykate, në Vlorë dhe Tiranë. 89 apartamente dhe biznese të tjera vijojnë të jenë të bllokuara nga Policia, pasi po kryhet verifikim për to. Dyshimet janë se këto biznese e pasuri të paluajtshme janë blerë me parë që kanë ardhur nga trafikimi i drogës.
Gjithashtu 115 makina luksoze vijojnë të qëndrojnë të sekuestruara në 12 drejtoritë vendore të Policisë, pasi nuk justifikojnë me dokumente burimin e të ardhurave. Mes këtyre makinave, janë edhe 15 automjete të blinduara.
Asetet e bllokuara “Vjeshtë 2017”
32 mijë m2 tokë e sekuestruar
8 apartamente të sekuestruara me vendim gjykate
89 apartamente të bllokuara nga Policia
115 makina luksoze
41 milionë euro vlera totale e pasurive të sekuestruara
Në total vlera e këtyre aseteve shkon në 41 milionë euro, thonë burime nga Policia e Shtetit. Kjo është hera e parë që një vlerë kaq e madhe pasurish të sekuestrohet brenda një afati 2-mujor.

