Burime nga PD: Protesta e madhe e opozitës brenda muajit nëntor
Pas përplasjeve në parlament, ku grupit të deputetëve të PD-së, (të Berishës), nuk u pranohet asnjë kërkesë ligjore për komisione hetimore parlamentare, kur nuk u njihet e drejta për të patur përfaqësues në komisionin e Reformës Zgjedhore, kur nuk u njihet grupi parlamentar, etj, mësohet se po diskutohet që të kalohet në rrugë. Pra fillimin e një proteste të madhe kombëtare në sheshin para kryeministrisë.
Gazment Bardhi e paralajmëroi mazhorancën se me këtë mënyrë që po na poshtëroni si deputetë të opozitës, puna do të kalojë me përplasje.
Të njëjtat burime tregojnë se protesta do të jetë brenda muajit nëntor të këtij viti. Nuk do të jetë protestë e qetë, thanë burimet.
Ndërkohë kanë filluar takimet me partitë aleate për datën fikse të protestës e cila, sipas tyre, do të trondisë regjimin. Paralel me përgatitjen e protestës deputetët e PD-së do të bllokojnë parlamentin, derisa ti përjashtojnë të gjithë nga salla.