Burimi për hapjen e fushatës: Rama dukej sikur po e ndjen humbjen
Gazetarit, Genc Burimi, nuk i ka lënë ndonjë impresion të veçantë hapja zyrtare e fushatës zgjedhore nga dy partitë kryesore në vend, PD dhe PS.
Për Rtv Ora, ai thotë se Rama gjatë gjithë fjalimit të tij u mor me detaje bajate të kundërshtarit, teksa te kampi blu thotë se Basha përsëriti premtimin e 1991 të Berishë për integrimin por nuk ishte realist pasi sipas tij Shqipëria nuk do të mund të bëhet anëtare e BE jo për një mandat të tij si Kryeministër nëse fiton, por as për 8 vite të tjera më pas.
Genc Burimi: Ajo që më bëri përshtypje mua është se PS me Ramën e vuri më shumë theksin në fjalimin hapës të fushatës tek kleçkat e kundërshtarit, që Basha mbajti një miting në kushtet e mosrespektimit të normave sanitare apo që vajti me vonesë në miting, mu dukën gjëra shumë bajate nga ana e kryeministrit për ti marrë me kundërshtarin në fjalimin hapës. Kurse te PD ishte një moment rutine. Premtimi kryesor i Bashës ishte i njëjtë me atë të Sali Berishës në shkurt të 1991, që premtoi se do të fusin Shqipërinë në BE pas 25 prillit. Është mashtrim, Shqipëria nuk hyn jo me 4 vjet por as me 8 vjet pas. Ajo që do të ndodhë pas 25 prillit është hapja e negociatave ciladoqoftë partia që do të fitojë zgjedhjet, PD, PS apo LSI.
Burimi thotë se është i surprizuar për keq nga pozita mbrojtëse e Ramës gjatë fjalimit.
Genc Burimi: Rama ishte në pozitë mbrojtëse, sikur po e ndien frikën që do të humbasë, u habita nga ky ton, është i pazakontë. Nuk është strategjia e mirë që zgjodhi Rama. I vetmi premtim konkret ishte që do të përfundojë reforma në drejtësi, shpresojmë se u bënë 8 vjet. Është më tepër një fushatë duke i frikësuar njerëzit me gogolin si fëmijët e vegjël sesa çfarë do të bëjë PS.