Bushati në OKB, nis fushatën për Këshillin e Sigurimit
Ministri për Evropën dhe Punët të Jashtme, Ditmir Bushati do të kërkojë në takimet dy palëshe që do të zhvillojë gjatë punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara mbështetjen e këtyre vendeve për kandidaturën e vendit tonë për vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.
Ditmir Bushati: Shqipëria vjen me ambicien e saj në këto punime, pasi po kërkon një vend jo-permanent për në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe fushata jonë e komunikimit me partnerë e vende të cilat e njohin Shqipërinë apo që dinë pak rreth Shqipërisë sapo ka filluar, me qëllim që të përmbushim këtë objektiv të politikës tonë të jashtme.
Bushati tha se Shqipëria mbështet reformën e OKB të prezantuar nga Antonio Guterres.
Ditmir Bushati: Shqipëria mbështet gjithashtu reformën e OKB-së e cila synon dhe pritet që ta fokusojë organizatën drejt nevojave që kanë vende të caktuara duke e bërë më pak burokratike dhe duke iu përgjigjur sfidave të një bote e cila duket se e ka të vështirë për të gjetur ekuilibrin e saj.
Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Nju Jork, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale. Kështu ai u takua me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe politike, ekonomike dhe tregtare, mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Ai u takua gjithashtu me homologen nga Ruanda Luise Mushikiëabo, Ministrin e Jashtëm të Shtetit të Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani, Ministrin e Jashtëm të Gambias Mamadou Tangara, si dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Moldavisë Tudor Ulianovschi. Në këto takime u diskutua mbi bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e ndërsjellë duke nënvizuar vullnetin dhe interesin për vazhdimin e këtij bashkëpunimi.

