Cana pjesë e politikës? Përgjigja me ”spec” e ish-kapitenit
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, ish kapiteni i kombëtares Lorik Cana ka rrëfyer edhe planet e tij për të ardhmen. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu mbi mundësitë e përfshirjes në politikë, Cana ka thënë se nuk ka nevojë ta bëjë diçka të tillë për të ndryshuar realitetin shqiptar, megjithëse nuk mohon se ka pasur oferta të ngjashme.
“Ka pasur oferta të tilla, qoftë këtu, qoftë në Kosovë. Unë mundohem që të jap një kontribut për shoqërinë. Njerëzit në vendin tonë deri diku janë edhe fatalistë, e thonë që nëse do të ndryshosh diçka duhet të jesh në politikë, por unë mundohem të sensibilizoj e të ndryshojë, përveç kontributit tim në fushë do mundohem ta jap ndihmën time nëpërmjet fondacionit tim për fëmijët. Do të ri në botën e sportit dhe kjo do të jetë pjesa ime e profesionit”, është përgjigjur Cana.
Ai ka thënë se ka pasur oferta për të qenë pjesë e Federatës së Futbollit të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, por tani për tani nuk e preferon diçka të tillë. Së shpejti do ta shohim si drejtues të një klubi jashtë Shqipërisë.

