Çerdhja e re nr. 5 në Elbasan, drejt përfundimit dhe gati për të pritur fëmijët
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Arbjan Mazniku, dhe deputetin Adi Qose, kanë parë nga afër përfundimin e punimeve në çerdhen nr. 5, një investim i ri në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në rrugën “Sadik Pauni”.
Godina e re, e ndërtuar nga e para, është një strukturë me dy kate, e projektuar për 4 grupe dhe me një kapacitet prej rreth 80 fëmijësh. Aktualisht, projekti ndodhet në fazën e mobilimit dhe të përgatitjes së stafit, ndërsa pritet që shumë shpejt të jetë funksionale, duke u ardhur në ndihmë dhjetëra familjeve dhe mbi 1000 banorëve të zonës.
Kryebashkiaku Llatja theksoi se çerdhja është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, duke ofruar kushte optimale për fëmijët. Ai nënvizoi se objekti është i pajisur me sisteme sigurie, alarmi dhe monitorimi, ndërsa hapësirat janë projektuar sipas parametrave të kërkuara nga standardet europiane.
Sipas tij, “një risi në këtë çerdhe është edhe përfshirja e logopedit në staf, ndërkohë që në total do të shërbejnë rreth 15 punonjës, përfshirë edukatore, sanitare dhe personel ndihmës”.
Llatja bëri të ditur gjithashtu se investimet në këtë sektor do të vijojnë, duke shtuar se në buxhetin e këtij viti është parashikuar edhe shtimi i çerdhes nr. 6 në një zonë periferike të qytetit, në lagjen “Shën Koll”.
Drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, e cilësoi këtë një investim të jashtëzakonshëm, veçanërisht për faktin se lidhet drejtpërdrejt me fëmijët. Ai u shpreh se kërkesa për shërbime të tilla është gjithmonë në rritje dhe reflekton ndjeshmërinë e qytetarëve për cilësinë e kujdesit ndaj fëmijëve.
Ai theksoi gjithashtu se besimi i komunitetit ndaj institucioneve për t’u kujdesur për fëmijët është niveli më i lartë i besimit që mund të ekzistojë, ndaj dhe krahas kushteve fizike, rëndësi të veçantë kanë edhe programet, stafi dhe standardet e ofruara.

KOHA JONË SONDAZH

