Ç’farë është e thjeshtë për ju, për ne është e vështirë por jo e pamundur

“Ta kthejmë çdo ditë në një 3 Dhjetor që personat me aftësi të kufizuara t’i kërkojnë të drejtat e tyre përditë e jo vetëm në një ditë të vitit”…

Nga Gëzim Hoxha

“Ç’farë është e thjeshtë për ju, për ne është e vështirë por jo e pamundur”,- thuhet në një pankartë që mbahej nga duart e disa fëmijëve me aftësi të kufizua nënjë  tubim para teatrit pas një marshimi të organizuar nga qendra HORIZONT në qytetin e Fierit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Marshimi në fjalë u organizua për të dytin vit radhazi me qëllim sensibilizimin e mbarë shoqërisë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ideja, – të thotë zj Matilda Dushku, – lindi nga dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara, si dhe nevoja për të manifestuar ekzistencën e kësaj shtrese të popullsisë si dhe të drejtave që ata duhet të kenë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Prej statistikave, 15% e popullsisë në botë janë me Aftësi të kufizuar apo aftësi ndryshe do ishte termi që duhet të përdorim të gjithë, – thuhet ndër të tjera në fjalimin e mbajtur të premten nga zj Matilda. Nga 374 000 që është numri i banorëve në  Qarkun e Fierit 3850 prej tyre janë persona me aftësi ndryshe. Duhet thënë se këtu përfshihen vetëm ata individë që e përfitojnë pagesën për paaftësinë ose siç njihet rëndom në zhargonin e përditshëm si kempin. Ka edhe persona të tjerë me aftësi të kufizuara që nuk e përfitojnë fare këtë pagesë. Nga studimet është parë se familjet e identifikuara mund të kenë 1-4 persona me aftësi ndryshe.

Ka të dhëna të sakta për numrin e personave me aftësi të kufizuara që merren nga censusi i vitit 2011, por edhe nga një studim i kryer nga grupi iWashingtonit në vitin 2012 për çdo lloj niveli vështirësie. Gjetjet e këtij studimi janëtë tilla që 6.2% e popullsisë në moshë madhore në Shqipëri ka deklaruar se ka të paktën një aftësi të kufizuar.Personat madhorë me aftësi të kufizuara në moshë pune kanë 2 herë më tepër gjasa të jenë jashtë forcës së punës sesa personat pa aftësi të kufizuar.  1 në 5 të rinj (të moshës 15-24 vjeç) që janë me kufizime në shikim është në kërkim të punës, por nuk mund të gjejë një të tillë  Prevalenca e aftësisë së kufizuar NUK ndryshon në varësitëtë ardhurave apo të shpenzimeve.

Numri i rasteve të popullsisë tregon se: paaftësia më e zakonshme është vështirësia në lëvizje (3.7%)  Më të ralla janë vështirësitë me dëgjimin 1.7% dhe komunikimin me 1.5%. Ka edhe vështirësi që konsiderohen si aftësi e kufizuar qëlidhetme veprimin mendor apo proceset që kërkojnë njohje dituri dhe të kuptuarit pëmes mendimit, përvojave e ndijimeve ose probleme me shëndetin mendor me 1.8%, vështirësi për përkujdesjen ndaj vetes po me 1.8%. Këtu ma do mendja nuk janë përfshirë personat që vuajnë nga HIV – AIDS, nga diabeti, ata që kanë një veshkë, probleme me zemrën  etj.

Shpërndarja e aftësive të kufizuara sipas moshës jep të dhëna që edhe mund të parashikohen. Kështu pjesa dërrmuese e personave me aftësi të kufizuara i përkasin moshës mbi 65 vjeç me 23%, kategoria e moshës  50 – 64 vjeç  ka 7% të tyre. Kategoritë e fundit kanë edhe përqindjen më të vogël moshat 25 – 49 me 3% dhe nën 25 vjeç ka vetëm 1%.

Nëse në analizën e PAK – së shtojmë kategorinë e personave që janë përgjigjur “Disi”, përqindja e popullsisë me të paktën një aftësi të kufizuar, ajo arrin në 22%. Tirana ka numrin më të vogël të tyre me 5% ndërsa numrin më të madh e ka Gjirokastra me 8%. Në terma absolute ata i gjen të përqendruar në qytete të tillë si Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan

Studimi jep edhe një të dhënë jashtëzakonisht interesante,personat me aftësi të kufizuara sipas përbërjes familjare. Familjet me të paktën 1 person me aftësi të kufizuar arrijnë nga 6.2, të dhënë që e jep ky studim në 6.5%shifër që e jep censusi, ato me 2 persona nga 17.2 në 18.4%, me 2 persona  nga 17.2 në 18.8%, ato me 3 persona nga 14.5 në 18.8%, me 4 persona nga 16.6 në 26.6%, me 5 persona nga 18.4 në  16.6%, me 5 e mëshumë persona nga 27.1 në 13.1%. Individët me aftësi të kufizuar janë përqendruar në familje të mëdha.

Më shumë se dy të tretat e fëmijëve me aftësi të kufizuar në shikim, komunikim, kujtesë ose kujdesin ndaj vetes janë të regjistruar në shkollë. Në krahun tjetër, vetëm gjysma e fëmijëve me vështirësi në lëvizje ose dëgjim ndjekin shkollën.Personat me aftësi të kufizuara kanë nivel arsimor më të ulët. Vlen të tërhiqet vëmendja për grupmoshat e reja, ku përqindja e atyre që janë analfabetë arrin në 34%.

Gratë pensioniste, ato që kanë kufizime në lëvizje dhe me arsim fillor dhe ato që marrin pension janë në masën 22% të përjashtuara nga mundësitë për të gjetur një punë. Personat me vështirësi të shumfishta njohëse, të rinjtë, analfabetët dhe beqarët që kanë këtë lloj paaftësie janë të përjashtuar në masën 17.5% dhe të gjitha llojet e tjera të aftësive të kufizuara kanë një përjashtim prej  11.8%.

Personat e moshës 50 – 64 vjeç, ata që kanë kufizime në lëvizje dhe arsim të mesëm kanë 25% mundësi për të gjetur një punë. Pensionistët me kufizime në dëgjim kanë 10.3% më shumë mundësi për të punuar, ndërsa ata persona që kanë kufizime në shikim dhe që kanë edhe arsim të mesëm kanë 13.7% më tepër mundësi për të kërkuar ose për të gjetur një punë.Pensionistet ose personat në prag të pensionit, me kufizim në lëvizje, pa shkollë të lartë, zenë pothuaj 47% të tyre.

E kur më mirë se në këtë ditë mund të flitet e mund të shkruhet për këta persona. Integrimi i tyre në shoqëri është një ekuacion me tre ndryshore dhe tejet i vështirë për tu zgjidhur. Është arsimimi i personave me aftsi të kufizuara, i cili është dhe stërmullari i gjithë barrierave që hasin gjatë jetës. Edhe me shkollëështë e vështirë të gjesh një punë, po pa shkollë? Këtu duhet bërë më shumë në përmirësimin e infrastrukturës së shkollave por duhet edhe mbështetje financiare për arsimimin e tyre. Punësimi është një tjetër e panjohur që vështirëson jetesën e personave me aftësi të kufizuara.

Në tërësi punësimi është një plagë për tërë shoqërinë tonë por në veçanti kjo ka prekur personat me aftësi të kufizuara. Edhe në raportin e avokatit të publikuar të premten thuhet se ligji për nxitjen e punësimit ku thuhet se 1 në 25 të punësuar duhet të jetë me aftësi të kufizuar nuk zbatohet. Ligji ia lë në dëshirën e titullarit punësimin apo jo të tyre, për rrjedhim edhe zbatimin e këtij ligji. Nga ana tjetër ligji nuk e thotë se çfarë ndodh me një të nëse ai nuk punëson një individ të tillë që aplikon për një vend vakant pune në institucionin që ai apo ajo drejton.

Tjetër gjë është edhe strehimi i tyre, i cili është shumë i vështirë pasi bashkitë nuk po ndërtojnë më banesa me kosto të ulët për shtresat në nevojë. Bankat nga ana tjetër nuk japin kredi për personat me aftësi të kufizuara pasi ata nuk kanë mundësi t’i shlyejnë dot këstet e kredive.

Nga do që ta kapësh nuk del dot gjekundi. Gjërat duken shumë të vështira dhe ngelin në kuadrin e fjalëve, madje edhe nuk thuhen dot. Po pse?, sepse nuk ka kush i kërkon. Personat me aftësi të kufizuara nuk kanëpërfaqsuesit e tyre në këshillat bashkiak, aty ku hartohen buxhetet.

Në fund dua ta mbyll shkrimin tim me fjalët e thëna nga aktivistja Lindita Hoxha. Në një intervistë dhënë për TVSH 2 që e pasqyruan aktivitetin, ndër të tjera ajo thotë – “Na duhet mbështetja e të gjithëve për t’i bërë sa më të prekshëm institucionet kryesore të qytetit si bashkia, prefektura biblioteka e të tjera duke i pajisur ato me rampa e ashensorë”.

Domethënës ishte dhe mesazhi i dhënë prej saj: – “Ta kthejmë çdo ditë në një 3 Dhjetor që personat me aftësi të kufizuara t’i kërkojnë të drejtat e tyre përditë e jo vetëm në një ditë të vitit.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?