Dënohet se transportonin libra shqip në Greqi !
Dy shoferët e Ministrisë së Jashtme që u kapën pak ditë më parë në Janinë duke transportuar libra shqip, janë shpallur fajtorë sot nga nga Gjykata greke.
Altin Tafa dhe Agim Asllani janë dënuar secili me nga 30 muaj burgim, por janë lënë të lirë me kusht. Kjo ka qenë edhe pretenca e prokurorit, i cili kërkoi që dy shoferët shqiptarë të MPJ të shpalleshin fajtorë, shkruan Syri.net.
Sipas prokurorit, librat në gjuhën shqipe që transportonin dy shoferët nuk ishin të ambalazhuara me material diplomatik dhe as të vendosura në kuti. Në këtë mënyrë, akuza greke argumentoi se fillimisht u dyshua që shoferët e Ministrisë sonë transportonin libra me përmbajtje propagandistike që mund të rrezikonin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Shtatë librat në gjuhën shqipe që ishin të destinuara për komunitetin shqiptar në Athinë, do të konfiskohen nga autoritetet greke. Gjyqi i sotëm në Janinë u ndoq edhe nga një delegacion shqiptar. Drejtori i Shërbimeve Ligjore në Ministrinë e Jashtme Shqiptare nuk bëri asnjë koment për shpalljen faktor të Altin Tafës dhe Agim Asllanit. Kurse konsulli shqiptar në Janinë, tha se “si përfaqësues i Shtetit Shqiptar në Greqi nuk bëj asnjë koment për vendimet e drejtësisë greke”.
Altin Tafa dhe Agim Asllani u arrestuan më 14 nëntor në Janinë teksa po transportonin libra shqiptar, por u lanë të lirë pas ndërhyrjes së Ministrisë së Jashtme Shqiptare dhe Ambasadës sonë në Athinë

