Denoncimi i PD: Rama gënjeu! Shqipëria ka sot vetëm 2 mijë kite për testime

Partia Demokratike ka denoncuar sot kryeministrin Edi Rama për mashtrim të qytetarëve lidhur me masat kundër koronavirusit. Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti Bardh Spahia deklaroi se ndryshe nga sa thotë qeveria dhe kryeministri, Shqipëria ka sot vetëm 2 mijë kite për testimin e qytetarëve me koronavirus.

“E e vërteta është se ne na kanë mbetur vetëm 2 mijë teste, se furnizimet i kemi kërkuar me vonesë, pas shpërthimit të virusit në vend dhe se na kanë gënjyer gjatë gjithë kohës për gjoja marrjen e masave. E vërteta është se Shqipëria jo vetëm nuk ka një sasi të tillë për të kryer 2 mijë teste në ditë, siç thotë Edi Rama, por, për shkak të centralizimit nga qeveria në një laborator të vetëm, nuk ka as kapacitetet teknike për të bërë më shumë se 500 teste në ditë”,- tha Spahia.

Ish-deputeti i PD-së publikoi dhe një video të ditëve të fundit të kryeministrit Edi Rama ku pretendohet se Shqipëria ka teste të mjaftueshme.

“Gënjeshtrat e Edi Ramës janë të rrezikshme. Numri i vogël i testimeve fsheh përhapjen reale të virusit. Sa më pak testime, aq më e pakët mundësia për të izoluar virusin dhe për të ndërprerë zinxhirin e përhapjes së tij.  Me urimin që sasia e re e furnizimit me kite testuese të vijë sa më shpejt dhe duke falenderuar partnerët tanë për ndihmën e madhe që po na japin, Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të rrisë numrin e testimeve mes qytetarëve. Kështu do të dimë përmasën reale të dëmit të shkaktuar, të papenguar nga gënjeshtrat e kryeministrit dhe do të kuptojmë më mirë se kur mund të kthehemi në normalitet”,- tha ish-deputeti i Partisë Demokratike.

SHKARKO APP