Deputeti Agron Gjekmarkaj i drejtohet Berishës: PD-ja po mplaket, na duhet parti fituese dhe jo ankuese!

PD e Berishës, e cila është partia kryesore në opozitë, nuk po arrin të mbledhë njerëz që në votime të mposhtë kryeministrin Rama.

Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj ka kërkuar një rikonceptim të opozitës. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të zhvilluar dje sipas burimeve Agron Gjekmarkaj kërkoi të shkohet përtej akuzave për Ramën, të cilit tha se po i ngremë një mit dhe gjithashtu foli edhe për një formulë për ta kthyer PD-në në fituese.

Ai ka thënë: “PD-ja në 10 vjet ka pasur maja opozitarizmi, beteja të forta që i kanë shërbyer shoqërisë, madje edhe gjatë këtyre dy viteve kur kemi konsumuar shumë energji kundër njeri-tjetrit, ka pasur të tilla, por nuk ia kemi dalë të bëhemi fitues në zgjedhje. Në mënyrën sesi ne flasim kemi krijuar një mbinjeri që është Edi Rama, duke akuzuar atë për gjithçka, ne po i ngremë atij një mit. Ne koleksionojmë denoncime (të dobishme gjithsesi), por ai (Rama) koleksionon fitore. Për mua këtu nuk ka kuptim të flitet në mënyrë kaq patetike”, mësohet të ketë thënë Gjekmarkaj.

Duke iu drejtuar kolegëve dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, deputeti i PD deklaroi se opozita po mpaket e rrudhet dhe se duhet të marrë vendime të mëdha, duke nënkuptuar që Berisha duhet të pozicionohet për një largim nga kreu i partisë, pasi nuk po fitohet asnjë zgjedhje.

Gjekmarkaj ka shtuar me pas:”Besoj që tani e tutje ne duhet të flasim si do të rikonceptojmë opozitën, si të ndërtojmë marrëdhënien me shoqërinë. Ajo ka kahje tjetër dhe ne krejt tjetër. Njerëzit tanë janë të mpirë dhe të demoralizuar. Bashkësia jonë politike po mpaket e rrudhet. Ne për hatër të dy-treve mund t’i rrotullojmë fjalët si të duam po nëse nuk merremi me të vërtetën, nuk i zgjidhim punë as Shqipërisë, as demokratëve. Vendimet e mëdha i marrin ata që kanë peshë më të madhe. Sali Berisha është faktor kryesor politik sot i opozitës, e kam ndjekur me diskursin e tij për parimin e votës. Natyrisht vota është e shenjtë dhe parimi qëndron. Por kjo është një e vërtetë e pamjaftueshme. Nëse bashkësia jonë politike do të ishte në ekspansion ajo mund të ishte zgjidhje. Ne na duhet një e vërtetë fituese e konkurruese. Për këtë duhet të punojmë e të diskutojmë si ta gjejmë këtë formule. Për sa u përket reagimeve të karakterit fizik, unë jam totalisht kundra për shumë arsye dhe pse e nuk e paragjykoj mirësinë e kolegut. Ne nuk jemi në luftën e tretë botërore ku luftohet me çomange. Duart vlejnë vetëm kur stabiliteti social dhe integriteti personal janë në rrezik”, ka deklaruar Gjekmarkaj.

Pra, me shumë finesë, deputeti Gjermarkaj ka theksuar se me këtë opozitë dhe drejtim opozite nuk kemi asgjë në terezi, sepse nuk mund të mbetemi vetëm duke u ankuar se “na vodhën”.

SHKARKO APP