Deputeti ”spiun” nxori dëshminë e oficeres, prokuroria nis hetimet
Çështja ”Tahiri” shkaktoi debat në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, aty ku u nxorr emri i oficeres së policisë që ka dhënë një dëshmi decizive për lidhjen e ngushtë të vëllezërve Habilaj dhe ish-ministrit të Brendshëm Habilaj. Për këtë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një hetim serioz për Komisionin e Mandateve në Kuvend me qëllim gjetjen e deputetit përgjegjës që nxorri pikërisht këtë emër.
Grupi i prokurorëve ka dorëzuar në mbledhjen me dyer të mbyllura të komisionit dëshmi dhe informacion të klasifikuar, dhe u ka marrë të gjithë anëtarëve firmat për mos nxjerrje të sekretit dhe ka kërkuar në mënyrë të prerë që të mos rrjedh asgjë në publik.
Por pas përfundimit të punës së komisionit, emri i plotë i gruas, një oficere karriere në Policinë e Vlorës, nënë e tre fëmijëve u bë publik prej disa mediesh. Pas kësaj Prokuroria e Krimeve të Rënda urgjentisht morri të gjitha masat për të siguruar jetën e saj dhe të familjes, duke i dhënë statusin e dëshmitares së mbrojtur.
Paralelisht me këto masa ka nisur edhe një hetim i posaçëm për nxjerrjen e sekretit hetimor nga ana e anëtarëve të Komisionit të Mandateve dhe Imunitetit. Sekreti doli vetëm pak minuta pasi prokurorët u dorëzuan dosjen deputetëve, menjëherë pas mbylljes së mbledhjes me dyer të mbyllura.

