Deputetja Aulona Bylykbashi promovon në Parlament Elbasanin si model europian të zhvillimit të qëndrueshëm

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, deputetja Aulona Bylykbashi ndau një nga arritjet më të rëndësishme për Elbasan, duke e cilësuar atë si një histori konkrete suksesi në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian.
Elbasani është sot i vetmi qytet në Shqipëri pjesë e misionit të European Commission për “100 qytetet europiane” që do të udhëheqin tranzicionin drejt neutralitetit klimatik. Ky përfshirje nuk është vetëm një vlerësim simbolik, por një angazhim konkret që tashmë është materializuar me marrjen e Label-it për Kontratën Klimatike të Qytetit.
Ky certifikim përfaqëson miratimin në nivel europian të një plani të plotë veprimi, që përcakton qartë rrugën e zhvillimit të Elbasanit drejt një qyteti të qëndrueshëm dhe me emetime të reduktuara. Statusi i ri i hap qytetit dyer të rëndësishme për të ardhmen: akses në financime ndërkombëtare, zgjerim të bashkëpunimeve me partnerë europianë dhe mbështetje teknike për zbatimin e projekteve konkrete në terren.
Në fjalën e saj, Bylykbashi theksoi se Bashkia Elbasan ka kaluar me sukses fazat më të rëndësishme të këtij procesi, duke ndërtuar një plan të konsoliduar, duke përfshirë partnerët dhe duke siguruar miratimin europian.
“Sot nuk jemi më tek pyetja nëse do t’ia dalim, por si do ta realizojmë këtë transformim,” u shpreh ajo, duke nënvizuar nevojën për një mbështetje më të fortë nga qeverisja qendrore.
Ky moment shënon një kthesë të rëndësishme për Elbasanin, i cili po rishkruan të ardhmen e tij si një pikë reference për zhvillimin e gjelbër në Shqipëri dhe më gjerë në Europë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?