Dëshmia tronditëse e pushuesit nga zjarri në hotelin e Vlorës: “U hodhëm nga ballkoni, korridori ishte plot tym”

Një zjarr i fuqishëm përfshiu në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit hotelin “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës, duke shkaktuar panik dhe lëndime mes pushuesve. Një prej tyre, Luan Salihu, 21 vjeç, nga Lipjani, ka rrëfyer momentet dramatike të evakuimit nga godina e përfshirë nga flakët dhe tymi.

Salihu tregoi se ishte në gjumë me të fejuarën kur u zgjuan nga zhurmat e forta. Pasi tentuan të dilnin nga dera, por korridori ishte mbushur plotësisht me tym, ata u detyruan të shkonin në ballkon. Aty, përballë flakëve dhe tymit të dendur, 21-vjeçari gjeti një zgjidhje të improvizuar për t’u larguar.

Ai përdori një mburojë ose tendë që ndodhej poshtë ballkonit si pikë mbështetjeje për t’u hedhur më pas në tokë. Gjatë këtij veprimi, Salihu pësoi një lëndim në këmbë, pasi ra mbi një cep hekuri, megjithëse theksoi se nuk pati djegie. Ai shtoi se ishte dita e dytë e qëndrimit të tyre në hotel dhe se e fejuara e tij nuk pësoi lëndime.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë evakuimit, i riu nga Lipjani pa edhe një familje me një fëmijë të vogël dhe një burrë tjetër, duke dëshmuar për situatën e rëndë. Zjarri, i cili nisi në katin e parë të godinës, ku ndodhej një lokal, u përhap me shpejtësi në katin e dytë, ku ishin akomoduar pushuesit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Si pasojë e ngjarjes, disa persona pësuan dëmtime të ndryshme. Mjekët konfirmuan se tre pacientë kishin djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë u lënduan nga hedhja prej katit të dytë, duke pësuar fraktura në shtyllën kurrizore. Dy prej të dëmtuarve u transportuan menjëherë drejt Qendrës së Traumës në Tiranë, ndërsa pacientët me djegie u trajtuan në spitalin e Vlorës.

Një paciente, e cila ka pësuar djegie në pothuajse të gjithë trupin, ndodhet në rrezik për jetën, ndërsa një tjetër ka djegie në rreth 50% të sipërfaqes së trupit. Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në shpërthimin e këtij zjarri tragjik.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?