DESHMITE/ 28 prej 38 martirëve të fesë katolike nuk kanë varr

Të gjithë klerikët katolikë shqiptarë gjatë diktaturës komuniste kanë kryer së bashku 881 vjet burg ose afro 9 shekuj. Ndërkohë që të gjithë klerikët katolikë shqiptarë kishin kryer së bashku 450 vjet studime në 24 universitete të Evropës. Pas 22 vitesh punë kërkimore shkencore, nga e gjithë kjo e dhënë rrënqethëse, Vatikani përzgjodhi mes tyre 38 klerikë duke i shpallur martirë, prej të cilëve vjen një fakt edhe më rrënqethës: 28 prej 38 martirëve nuk kanë fare varr.

Të gjitha këto shifra u bënë publike dje gjatë emisonit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, një puntatë që u shndërrua në homazh për klerikët martirë në nder të të cilëve nesër në Shkodër do të mbahet ceremonia e lumnimit të tyre.

Drejtori i Institutit të Teologjisë dhe Filozofisë në Shkodër, At Mario Imperatori, një organizatorët e kësaj ceremonie Dom Mark Shtjefni si dhe studiuesit Parçel Hila dhe Dorian Koçi, sollën në vëmendje të publikut fakte, të dhëna dhe dëshmi unikale që nuk ishin dëgjuar më parë lidhur me persekutimin e klerit katolik shqiptar.

Mes 38 klerikëve të shpallur martirëve, një ishte gjerman, një polak dhe një italian. Edhe në insertin special të emisionit u bënë publike për secilin martir fundi i tyre tragjik, mes të cilëve do të veçohen si më të rëndat:

Dom Lazer Shantoja, pasi hetuesi i preu këmbët me sopatë, e pushkatuan dhe e hodhën në një gropë pa emër. At Serafin Koda, vdiq pasi hetuesi i futi thonjtë në fyt në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Maria Tuci, pasi refuzoi të bëhej e dashura e kryetarit të degës së Brendshme të Shkodrës, u torturua duke e futur në një thes të mbyllur bashkë me një mace dhe e qëllonin me shkop.

Papa Josif Papamihali, u torturua dhe u mbyt në baltën e kënetës së Maliqit. Imzot Jul Bonati, u mbyll pa qenë i sëmurë në çmendinë e Durrësit dhe vdiq teksa mjekët bën me të eksperimente si një kavie.

Dom Aleksandër Sirdani, pasi u tërhoq zvarrë i lidhur pas një kali, u mbyt në një gropë fekalesh. E megjithatë ata shprehën besnikëri ndaj Jezu Krishtit në të cilin besonin si At Gjon Shllaku që përpara se ta pushkatonin tha: “Rroftë Krishti mbret. I falim armiqtë tanë!”.

SHKARKO APP