Dezertoi në Londër, babai i komandos: Djali u nxitua, të kthehet në atdhe
Familjarët dënojnë veprimin e komandove shqiptarë që dezertuan misionin, pasi u dërguan për trajnim në Angli nga Ministria e Mbrojtjes.
Lulzim Shkulaku, babai i Aleksandër Shkulakut, njërit prej katër ushtarakëve shqiptarë që nuk u kthyen në atdhe pas përfundimit të trajnimit në Londër e konsideron veprimin e djalit si të nxituar.
Shkulaku: Veprimi i djalit është i nxituar sepse djali na alarmoi ne si prindër, nuk jemi të qetë. Djali alarmoi strukturat e shtetit, ne djalin e duam këtu. E donim dhe e duam këtu, të japë kontributet për veten e tij, për familjen, për shtetin, për punën që ishte betuar.
Shkulaku i bën thirrje të birit të kthehet në Shqipëri, ndërsa pranon se djali ka probleme financiare dhe shteti nuk e ka vlerësuar për kontributin e tij në Forcat e Armatosura.
Skandali i dezërtimit të katër komandove shqiptarë u zbulua dy ditë më parë nga Ministria e Mbrojtjes, e cila kishte denoncuar katër ushtarakët në prokurori për dezertim.
Komandot Reni Ajazi nga Gramshi,Ylber Tokri dhe Aleksandër Shkulaku nga Pogradeci dhe Klevis Lamkaj ishin në Angli dhe pas trajnimit nuk u kthyen në Shqipëri, duke shkëputur kontaktet me Ministrinë e Mbrojtjes.
Hetimi ka nisur që në fund të tetorit, kur komandot duhej të ktheheshin në atdhe dhe nëse shpallen fajtorë për akuzën e ngritur ndaj tyre për dezërtim, ata rrezikojnë një dënim deri në 10 vjet burg.
/Ora News

