Dezertuan, ja vite burg rrezikojnë komandot e FA
Ylber Tokrri, Aleksandër Shkulaku, Klevis Lamkaj dhe Reni Ajazi janë katër komandot e Forcave të Armatosura shqiptare që dezertuan, pas një kursi trajnimi në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithsej në këtë trajnim që zhvillohej në Uells ishin 12 efektivë të Forcave Komando.
Nga dëshmitë e 8 efektivëve të tjerë, komando që ndoqën të njëjtin kurs, bëhet e ditur se katër komandot janë larguar pak para nisjes drejt Shqipërisë. Ata janë ndarë nga shokët e tjerë të grupit me preteksin se do të shkonin për një kafe dhe nuk janë parë më.
Sipas rregullores autoritetet ushtarake priten pesë ditë dhe pas informacioneve që shkëmbyen edhe me autoritetet britanike që organizuan trajnimin, konfirmuan zhdukjen e katër komandove shqiptare.
Sipas Kodit Penal ushtarak, katër komandot akuzohen për mosparaqitje të oficerëve apo nënoficerëve në detyrë. Kjo akuzë konsiderohet kundravajtje penale dhe parashikon dënime që variojnë nga gjobë apo ulje në gradë, deri në 1 vit burgim.

