Dhunë të burgosurit, Drejtoria e Burgjeve: U vetëdëmtua
Pas denoncimit të Komunitetit Shqiptar të Helsinkit, për dhunimin e një të burgosuri në burgun e Fierit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar sot pas inspektimeve të kryera në këtë institucion.
Në deklaratën për shtyp, lexohet se ndaj të dënuarit me inicialet T.D, nuk është ushtruar asnjë lloj dhune apo keqtrajtim fizik nga punonjësit e institucionit, ashtu edhe siç pretendohej.
Sipas Drejtorisë, i dënuari gjatë një momenti nervozizmi ka tentuar të vetëdëmtohet, duke shkaktuar shenja në duar. Këtë e vërtetojnë me ekspertizën mjeko-ligjor, ku ka vlerësuar paraprakisht se i dënuari nuk ka shenja apo dëmtime të cilat mund të tregojnë se ndaj tij është ushtruar dhunë.
Deklarata
Shtetasi me inicialet T.D, është dënuar dy herë nga gjykata shqiptare për veprën penale “mashtrim”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal. Më datë 14 nëntor 2017, ka filluar procedimi disiplinor ndaj këtij shtetasi në IEVP Fier, për thyerje të rregullave të institucionit dhe kundërshtim të forcave të policisë për kryerjen e kontrollit për sende të ndaluara në qelinë e tij. Si rrjedhojë, i dënuari, gjatë një momenti nervozizmi ka tentuar të vetëdëmtohet, duke shkaktuar shenja në duar. IEVP Fier ka zbatuar të gjitha procedurat standarde të parashikuara në rregullore për trajtimin e personave me liri të kufizuar. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Burgjeve ka ndërmarrë një hetim për verifikimin e pretendimit për keqtrajtim. Eksperti mjeko-ligjor, pjesë e grupit hetimor, ka vlerësuar paraprakisht se i dënuari nuk ka shenja apo dëmtime të cilat mund të tregojnë se ndaj tij është ushtruar dhunë. Çështja e pretendimit për keqtrajtim ndaj të dënuarit T.D, i është referuar për ndjekje të mëtejshme organit të prokurorisë.

